Aktualitet
Mes pesimizmit dhe optimizmit!
Ekonomia globale ka hyrë në një tjetër vit të vështirë dhe po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha. Rritja ka humbur vrullin, inflacioni i lartë, pavarësisht shenjave të ngadalësimit, po vazhdon, besimi është dobësuar dhe pasiguria, e lartë.
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka rritur ndjeshëm çmimet, veçanërisht për energjinë, duke shtuar presionet inflacioniste, në një kohë kur kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi në të gjithë botën.
Kushtet financiare globale janë shtrënguar ndjeshëm, pasi në muajt e fundit, bankat qendrore kanë hedhur hapa tepër të fortë për të rritur normat e interesit, duke rënduar mbi shpenzimet dhe duke rritur trysnitë me të cilat përballen shumë ekonomi në zhvillim.
Kushtet e tregut të punës, në përgjithësi, mbeten të shtrënguara. Rritja e pagave nuk e ka kapur ritmin e inflacionit të çmimeve, duke dobësuar të ardhurat reale, pavarësisht veprimeve të ndërmarra nga qeveritë për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të ushqimit dhe energjisë te familjet dhe bizneset, sipas vlerësimeve të OECD-së.
Në një mjedis të tillë global, edhe ekonomia vendase nuk pritet që të ketë një vit të lehtë. Inflacioni ka gërryer të ardhurat e konsumatorëve, sidomos të shtresës me të ardhura të mesme dhe më të ulëta. Bizneset, kryesisht ato të vogla, janë dobësuar, pasi janë përballur me pandeminë, shtrenjtimin e energjisë e lëndëve të para dhe tkurrjen e konsumit.
Vështirësive të bizneseve, si rrjedhojë e rritjes së kostove, u shtohen edhe problematikat që po shkaktohen nga emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore, që pritet të ndikojnë negativisht në produktivitet dhe shtimin e mëtejshëm të kostove.
“Monitor”, si çdo vit, ka biseduar me përfaqësuesit e bizneseve në sektorët kryesorë të ekonomisë, për të matur “pulsin” e vitit 2023, në një speciale që e gjeni në faqet e brendshme të revistës. Mbizotëron pesimizmi, sidomos nga industria, por nuk mungojnë as parashikimet optimiste.
Pjesa më e madhe e përfaqësuesve të industrisë prodhuese dhe përpunuese janë të zymtë për ecurinë e aktivitetit në vitin 2023.
Për grupet kryesore të eksporteve, “tekstile e këpucë”, “materiale ndërtimi e metale”, “minerale, lëndë djegëse e energji” nuk pritet vit pozitiv, me rritje të kostove e problematikave të fuqisë punëtore, që kanë çuar në rënie të konkurrueshmërisë së bizneseve vendase në raport me rajonin, e përkeqësuar më tej edhe nga zhvlerësimi i Euros.
Disa subjekte të industrisë së rëndë, që ndërprenë përkohësisht aktivitetin në vitin 2022, nga shtrenjtimi i energjisë dhe rënia e çmimeve në bursë, të produkteve që ata tregtojnë, pritet që të vazhdojnë aktivitetin me hope.
Më optimistja është industria automotive, e cila pritet të përfitojë nga zhvendosja e prodhimit, si rrjedhojë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Më i mirë pritet viti për sektorin e tregtisë me pakicë, ndonëse dhe konsumi do të vijojë të jetë i ndrydhur nga çmimet e larta dhe ikja e popullsisë. Ditë më të mira parashikon dhe bujqësia, por jo blegtoria, ndërsa pesimizmi vijon të mbizotërojë në sektorin e agropërpunimit, sidomos atë të qumështit, pra atë pjesë të sektorit ku krijohet vlerë e shtuar.
Turizmi, që deri tani ka qenë një nga kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike, pritet të mbajë sërish peshë kryesore në vitin 2023, por aktorët e sektorit ankohen se fitimet e tyre po bien nga shtimi i kostove.
Në anën tjetër, infrastruktura nuk po u përgjigjet ritmeve të zhvillimit të hoteleve, ndërsa ikja e punonjësve po ndikon në cilësinë e shërbimit, duke bërë që të largohet një pjesë e turizmit elitar (nordikët nuk do të kenë më kontrata me garanci këtë vit).
Ndërtimi është i vështirë të parashikohet, për shkak të varësisë së tij nga burimet e të ardhurave formale (për banesat mesatare) dhe ato informale (për të shtrenjtat kryesisht), por lajm i mirë është se nuk pritet më shtrenjtim i çmimeve të apartamenteve.
Për të gjithë bizneset, lehtësi do të jetë mbajtja e fiksuar e çmimeve të energjisë, për subjektet që furnizohen në linjën 20 kilovolt dhe premtimi i furnizimit me çmime më të ulëta për subjektet e linjës 35 kv.
Edhe inflacioni, që filloi të lehtësohet në nëntor të vitit të kaluar, pasi arriti rekordin e 24 vjetëve, në 8.3%, pritet të reduktohet në vitin 2023 dhe të kthehet brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% në mesin e 2024-s.
Si qeveria, edhe Banka e Shqipërisë, duket se kanë më pak hapësira, me bankën që e ka shtrënguar ndjeshëm politikën monetare dhe qeverinë, e cila është e detyruar të shkojë drejt konsolidimit fiskal, ndonëse pjesa e parë e vitit mund të shohë rritje të investimeve publike, për shkak të zgjedhjeve lokale.
Ecuria e ekonomisë, më së shumti, do të varet nga elasticiteti i bizneseve për të përballuar krizat, që për fat të mirë, përvoja ka treguar se është shumë i lartë. Kjo jep shpresa për një rritje më të lartë sesa niveli prej 2-3% që parashikojnë qeveria dhe institucionet ndërkombëtare.