Connect with us

Politike

MESAZHI I KIM/ Kush po e frikëson drejtësinë

TIRANE- “Përpjekje për joshje, frikësim dhe shtrembërim…”, kjo është një pjesë nga mesazhi i njohur i ambasadores amerikane Yuri Kim e cila e ka risjellë sot në Twitter, duke shtuar se SHBA është me sytë hapur. Por kujt i drejtohet mesazhi? Këtë, Kim ka vendosur ta lejë enigmë duke mos qenë aq me “vetëdije” si në rastin e përpjekjeve.

Ambasadorja flet për modele të vjetra korrupsioni dhe ndikimi dhe deklaron me forcë se SHBA është në mbështetje të zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Por për kë e ka fjalën ambasadorja? Edhe pse nuk e thotë drejtpërdrejt, mesazhi i Kim bie si këmbanë në veshët e 3 personave në Shqipëri. Ata janë Alqi Bllako, Saimir Tahiri dhe Sali Berisha. Dy të parët janë në një përballje me hekurat ndërsa Berisha kërkon një vendim që i jep “përjetësinë” e PD, në përballjen me Lulzim Bashën.

Çfarë ka ndodhur me këto 3 çështje dhe pse kthehen tani në vëmendjen e publikut ndoshta dhe Kim?

Alqi Bllako del nga burgu për tu kujdesur për 3 fëmijët

Gjyqtarja Irena Gjoka, pjesë e trupës së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar liroi të enjten nga qelia ish-deputetin socialist Alqi Bllako. Bllako ishte në burg pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion në hetimet për shkeljet me inceneratorin e Fierit. Bllako u lirua përmes ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpi pasi sipas avokatit mbrojtës, Sokol Hazizaj, Bllako është babai i 3 fëmijëve të mitur që kërkojnë kujdesin e tij. Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të këtij viti.

Saimir Tahiri kërkon lirinë me “procedurë”

Saimir Tahiri, i dënuar me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre aktualisht në qeli, kërkon lirinë me “procedurë”. Tahiri ka dërguar një kërkesë në gjykatën e Elbasanit ku kërkon njohjen e kohës së paraburgimit. Tahiri pretendon se vendimi i parë, ai i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që e dënoi në shkurt të vitit 2019 me 3.4 vite të konvertuara në shërbim prove mund të zgjidhet prej tij, përmes një klauzole që i lejon një të dënuari që ka dy dënime, të zgjedhë se cilin dënim do të vuajë. Tahiri ndodhet në burgun e Lushnjes ku vuan dënimin për “Shpërdorim detyre”.

Sali Berisha dhe beteja për marrjen përfundimtare të partisë

Më 3 nëntor 2022, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë ankimimin e Partisë Demokratike për vendimet e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD. Gjyqtarja Irida Kacerja ka në dorë vendimin për Berishën. Që prej muajit mars kur Gjykata e Shkallës së parë njohu statusin e dalë nga kongresi i Berishës dhe u apelua nga Enkelejd Alibeaj cështja ka mbetur pezull pasi nuk ka një vendim të Apelit se cilit nga statutet do të mbetet në fuqi, ai i Berishës apo ai i Bashës. Kjo çështje është zvarritur që prej 25 marsit pas ndryshimit dy herë të relatorit të çështjes. Më herët, çështja iu caktua Gent Shalës ndërsa më pas e mori Kacerja. Por çfarë pretendon Alibeaj? Pasi gjykata i njohu Kuvendin Kombëtar Berishës dhe vendimet e marra më 11 dhjetor, grupi Alibeaj apeloi vendimin dhe paralajmëroi kallëzim penal për Agron Zhukrin.

Sipas Alibeajt, Zhukri ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët. Pala pretendon se një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata. Beteja vazhdon më 3 nëntor…

Për kë ta ketë vallë Kim?

Advertisement