Aktualitet
Mesazhi kërcënues për Eral Myftarajn: Tërhiqu ose do të vrasim ty dhe djalin
Biznesmenit Eral Myftaraj i mbërriti një mesazh në telefon: Tërhiqu nga tenderi që ke fituar ose do të vrasim ty dhe djalin tënd.
Ky mesazh mbërriti në telefonin e biznesmenit, nga personat të kontraktuar nga Shaqir Alcani, konkurrent në një garë prokurorimi publik për blerjen e lëndëve drusore në Bashkinë e Tiranës. Myftaraj kallëzoi rastin në Policinë e Elbasanit pak javë më parë.
Policia thotë se Boci së bashku me një person tjetër me incialet L.K. ishin kontraktuar nga biznesmeni Alcani për t’i bërë presion konkurrentit të tij, që të hiqte dorë nga tenderi i zhvilluar në Tetor të 2022.
Vlera e tenderit të fituar nga Eral Myftaraj kap shifrën e 41.220.000 lekëve. Krahas mesazheve biznesmeni i kompanisë me seli në Cërrik, është takuar dhe fizikisht gjatë disa takimeve të zhvilluara në Tiranë me personat e kontraktuar nga Shaqir Alcani. Pavarësisht kanosjes së vazhdueshme, Eral Myftaraj nuk ka pranuar të tërhiqet.
Si ndodhi kërcënimi?
Myftaraj, që zotëron një kompani me zyrat qendrore në Cërrik fitoi një tender 1 milion eurosh për furnizimin me lëndë drusore në shkolla. Ai u kërcënua që të hiqte dorë, në të kundërt do t’i vrisnin anëtarët e familjes. Por, biznesmeni s’u tërhoq dhe bëri kallëzim në polici, pas të cilit ndodhën dhe arrestimet. Babë e bir, Shaqir dhe Algert Alcani dyshohet se janë organizatorët. Kjo pasi, Shaqir Alcani është pronar i ‘Alcani Sh.p.k’ që fitonte thuajse gjithë tenderat për lëndët drusore që jepeshin nga Bashkia Tiranë dhe këtë herë s’e kanë pranuar humbjen përballë Myftarajt.