Connect with us

Politike

Meta flet për marrëdhëniet që ka me Berishën: Raporti ynë është…

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur për marrëdhënien me kreun e PD-së Sali Berisha.

Në një intervistë për News24, Meta tha se marrëdhënia mes tyre është shumë korrekte dhe parimore. Sa i përket akuzave për kullën “Mali i Tiranës”, Meta i cilësoi histori qesharake dhe me qëllim për të hequr vëmendjen nga çështja e inceneratorëve.

“Marrëdhënia jonë është shumë korrekte. Marrëdhëniet e mia me z. Berisha kanë qenë shumë të mira dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla sepse janë raporte të hapura, parimore dhe të sinqerta që kanë në fokus vetëm interesin e vendit dhe të demokracisë.

Kulla? Janë histori tërësisht qesharake. Askush nuk duhet të shpërqendrohet në këto momente nga kryeafera e inceneratorëve. E shoh çështjen e kullave një çështje për të hequr vëmendjen nga inceneratorët që është një kryaferë që vetëm sa është gërvishtur pasi kemi të bëjmë me një grup kriminal dhe janë bërë ligje enkas.

Edhe vetë Ministria e Financave e pranon që në thesar firmosin fatura që nuk kanë mundësi kurrë t’i vlerësojnë. Janë qindra miliona euro. Është shpikje e qeverisë për të vjedhur paratë publike. LSI ka qenë gjithmonë e shqetësuar për koncesionet dhe që në 2014 kemi paraqitur një projektligj për të vendosur filtra”, deklaroi Meta.

Ai ka deklaruar se zgjedhja e kandidatit për kryetarin e Bashkisë Kukës është në dorë të ish-kryeministrit Sali Berisha. Meta theksoi se PL nuk ka asnjë kandidat për zgjedhjet e 24 Shtatorit dhe se do të respektojë çdo zgjedhje që do të bëjë Berisha.

Nuk kemi pse të flasim për këtë çështje, qëndrimi është parimor. Nuk kemi një kandidat i cili dëshiron të marrë pjesë në një garë të tillë dhe të kërkojmë mbështetjen e PD apo faktorëve të tjerë. Dihet që fuqia e PD është shumë e madhe dhe ne do të respektojmë çdo zgjedhje që ata do të bëjnë.” – tha Meta.

Advertisement