Politike
Meta në mbledhjen e Komisionit për Diasporën: Garanci fiskale për sipërmarrësit që rikthehen
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbledhur sot Komisionin për Diasporën ndërsa gjatë fjalës së tij u shpreh se programi i forcës politike që ai drejton ka pesë pioritete, një prej të cilëve është edhe diaspora. Meta tha se qëllimi është që vendit t’i shtohen 4 milionë shqiptarë, që janë larguar nga vendi për shkak të keqqeverisjes. Ai më tej tha se do të krijojnë një ministri për diasporën dhe politika fiskale lehtësuese për rikthimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Duhet të jemi të vëmendshëm për të mbrojtur vendin tonë në edukimin e fëmijëve tanë, si brenda vendit, ashtu dhe jashtë vendit. Roli i shtetit në këtë drejtim është thelbësor për të mundësuar ura komunkimi në fushën e arsimit me vendet ku shqiptarët jetojnë. Pa rolin e diasporës, s’do kishte kurrë një shtet të pavarur shqiptar. Roli i diasporës në Amerikë, roli i arbëreshëve, që ka qenë i padiskutueshëm, dhe që ruajti figurën e Skënderbeut me fanatizëm”, tha Meta. Presidenti i Partisë së Lirisë u shpreh se diaspora ka në dorë fatet e vendit.
“Partia e Lirisë është e angazhuar që në qeverisjen e saj të ketë një ministri për diasporën, jo për të krijuar evente, por për të nxitur politika, ura komunikimi mes diasporës dhe shtetit shqiptarë me qëllim që ata të rikthehen dhe të investojnë në Shqipëri. Po ashtu do të krijohet zyra për diasporën në çdo ambasadë për krijimin e evenimenteve kulturore, për të ofruar mbrojtje ligjore, trajnime për riintegrimn e diasporës në vendin tonë përmes lehtësirave që do krijojmë me politikat që do të ndërrmerren”, tha Meta.
Duke iu referuar lehtësirave fiskale, Meta tha se, për ata që duan të rikthehen, ata do bëjnë gjithçka për koordinimin institucional për lehtësimin e riintegrimit të tyre, arsimimin, dhe të gjitha elementët e tjerë. Sipas tij do ketë përjashtim deri në 10 vite për tatimin mbi fitimin. Meta tha se Rama po i bën përjashtime Alabarit tek porti i Durrësit, ato s’po përjashtojnë shqiptarët që vijnë dhe investojnë kursimet e tyre këtu. Meta tha se diaspora do të ketë kuotat e përfaqësimit të saj në të hallkat drejtuese të Partisë së Lirisë.
“20% nga diaspora në krysinë e Partisë së Lirisë. Në listat për deputetë, 20% përfaqësues nga diaspora”, tha Meta.