Politike
Meta: Populli ukrainas është kthyer në frymëzim për mbarë botën
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi në ditën e përvjetorit të agresionit rus në Ukrainë. Nëpërmjet një postimi në facebook, Meta shkruajti se që prej kësaj dite nga viti i kaluar, populli ukrainas është kthyer në frymëzim për mbarë botën.
Mes të tjerash, Meta shkruan se Partia e Lirisë solidarizohet dhe mbështet popullin ukrainas deri në rivendosjen e paqes dhe sovranitetit shtetëror.
“Si sot 1 vit më parë, Ukraina u zgjua nën tmerrin e agresionit të egër rus, e që prej asaj dite, populli ukrainas është kthyer në frymëzim për mbarë botën, me rezistencën e tij heroike për liri, në mbrojtje të atdheut, lirisë dhe demokracisë brenda kufijve të sovranitetit shtetëror. Angazhimi i hershëm ndërkombëtar nga OKB, NATO, BE, si dhe dedikimi i SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, në këto 12 muaj ka dëshmuar qartazi se uniteti i demokracive perëndimore është efektiv për mbrojtjen e Ukrainës nga ky pushtim ilegjitim dhe Ukraina do të qëndrojë e lirë dhe sovrane. Partia e Lirisë qëndron në solidaritet dhe mbështje të palëkundur për popullin Ukrainas deri në rivendosjen e paqes dhe garantimin e sovranitetit shtetëror”-shkruan Meta.