Connect with us

Politike

Meta: Shqiptarët detyrohen të paguajnë 110 mln euro për qefin e Ramës

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka komentuar lajmet që kanë dalë sot se Agon Channel ka fituar gjyqin në Arbitrazh me shtetin shqiptar. Gjatë fjalës së tij në Shkodër, Meta ka thënë se shqiptarët do të detyrohen që të paguajnë 110 mln euro për qefin e Ramës dhe Veliajt.

“E morët vesh lajmin sot besoj, shqiptarët do detyrohen të paguajnë 110 mln euro për qefin e Ramës e Velisë që mbyllën një televizion që nuk e kishin në kontroll. Gjobat do vijojnë edhe me televizione dhe biznese të tjera. Sepse janë armiq të betuar të konkurrencës së lirë dhe çdo sipërmarrësi që nuk u nënshtrohet. Të gjithë bashkë më 14 maj votojmë listën tonë fituese,” tha Meta.

Ç’lajm u publikua sot?

U raportua se Agon Channel ka fituar përfundimisht përballjen me qeverinë shqiptare për mbylljen arbitrare të televizionit. Sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, qeveria shqiptare i detyrohet tashmë dhe duhet t’i paguajë Becchettit 108 milionë dollarë.

Lajmi se Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015, ka dalë që në vitin 2021, por edhe atëherë është mohuar nga Rama. Sipas tij, gjyqi vazhdon por nuk bën dot publike të dhëna pasi mund të përdoren kundër në Gjykatë.

Becchetti kishte kërkuar 650 milionë euro dëmshpërblim, pasi prokuroria shqiptare sekuestroi pronat e biznesmenit italian, përkatësisht televizionin Agon Channel, kryeministri e pati akuzuar publikisht Becchettin për pastrim parash. Ndërkohë që në Shqipëri, biznesmeni italian Francesco Becchetti është shpallur fajtor për katër akuza nga Gjykata e Tiranës dhe është dënuar me 17 vite burg. Ai u shpall i fajshëm për: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Advertisement