Politike
Meta thirrje Berishës: Ose bashkë, ose humbasim
TIRANË– Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu drejtua ditën e sotme kryetarit aktual të Partisë Demokratike, Sali Berishës me një propozim. Në konferencën për mediat, Meta kërkon që opozita të paraqitet e bashkuar në zgjedhjet lokale të 2023-it, duke u paraqitur me një kandidat të përbashkët. Meta u shpreh se PL ka ambicie të forta për zgjedhjet e ardhshme si dhe nënvizoi se objektivi i tyre është fitorja e opozitës.
‘Opozita duhet të dalë në gjithë Shqipërinë me kandidat të përbashkët. Kjo është më e mira për situatën se jemi në kushtet e një shteti mafioz opozita duhet të paraqitet sa më e bashkuar. Në kushte të tjera sa më shumë kandidatë do ishte më mirë, por nuk jemi në kushte demokratike, jemi në kushte që opozitës as nuk i lejohet të vonohet, as të mos bashkohet as të mos koordinohet. Partia e Lirisë është e interesuar vetëm për fitoren e opozitës, edhe për rezultatin e saj, por këshillat bashkiakë do kthehen në parlamente të fuqishme vendore shumë shpejt.’- u shpreh Meta.
Zgjedhjet lokale të 2023-shit pritet të mbahen mes muajit prill e maj, por data nuk është caktuar ende. Nga ana e Opozitës nuk ka asnjë kandidaturë të konfirmuar. Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se kandidatët e selisë blu do të zgjidhen përmes primareve, ndërkohë që mbetet për tu parë se si do të vijojë bashkëpunimi me Partinë e Lirisë.
Aktualisht vendi ynë është i ndarë në 61 bashki, 59 prej të cilave drejtohet nga kampi rozë, Shkodra ka në krye demokratin Bardh Spahia, ndërsa në Finiq drejton Kristo Kiço, i dalë nga MEGA.