Connect with us

Politike

Meta: Vetëm ‘Rilindja’ mund ta ngatërronte Hajredin Pashën me Elez Isufin

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pas gafës së deputetit të Partisë Socialiste, Tonin Gogu i cili e quajti Hajredin Pashën heroin e dibranëve. Një ditë më parë, Gogu shkroi në Facebook, se Hajredin Pasha ishte heroi i të gjithë dibranëve e se atij i është dedikuar një këngë (lexo këtu)

170 vite këngë e lavdi, dedikuar Hajredin Pashës, heroit të gjithë dibranëve. Një prej dedikimeve që ndër breza është trashëguar e vijon të ngjallë njësoj emocione“, shkruante Gogu në Facebook, duke i bashkangjitur vargjet e këngës që flet për kyengritjen e Dervish Carës në Dibër në 1843-1844.

Sikur mos të mjaftonte kjo gafë, Gogu ka krijuar edhe hashtaget me emrin e ish-gjeneralit: #hajredinpasha #hero #song #dibra #history.

Meta shkruan në një postim, se vetëm një person që i përket ‘rilindjes’ mund të bëjë një ngatërresë të tillë.

Vetëm “Rilindja” mund ta ngatërronte Hajredin Pashën, me Legjendën e Dibrës dhe të mbarë kombit, Elez Isufin’.

Gafa e Gogut/ Meta: Vetëm 'Rilindja' mund ta ngatërronte

Po kush ishte Hajredin Pasha e ç’rol kishte në kryengritjen e Dervish Carës në Dibër?

Kryengritja Dervish Cara filloi në Shkup më 21 korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të vitit 1843, kur, me ardhjen e forcave osmane nën drejtimin e Hajredin Pashës, u shtuan përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve të rinj. Kryengritësit hynë në konflikt të armatosur me ushtrinë osmane. Në nëntor kryengritësit çliruan Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844, pas luftimeve të ashpra, çliruan Tetovën. Këtu, si në Gostivar, u vendos pushteti i kryengritësve dhe shtabi i saj, me Dervish Carën në krye. Kryengritja, përveç Dervish Cara, udhëhiqej edhe nga komandantë të tillë, si Emin Xhambazi, Sulejman Toli (Tërnova), Selman Rogoçica, Emin Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha, Bajram Vaksinca etj.

Hajredin Pasha ishte një gjeneral famëkeq i osmanëve. Vendet e pushtuara nga Perandoria Osmane, mes të cilëve edhe Shqipëria ngritën krye kundër reformave të Tanzimatit, apo rregullave të reja të Portës së Lartë.

Për të shtypur me forcë kryengritjen e shqiptarëve dhe të dibranëve, në vitin 1844, Porta e Lartë nisi gjeneralin famëkeq Hajredin Pasha në krye të një ushtrie me 12 mijë forca dhe me armatim të rëndë e topa. Ushtria turke marshoi në itinerarin Selanik, Shkup, Gostivar, Grykë e Radikës, Gjoricë. Qëndresën e parë kundër ushtrisë turke e bënë banorët e Rekës në malet e Vllajnicës, të cilët i shkaktuan armikut 3000 të vrarë e të plagosur. Qëndresa e dytë u bë në Fushën e thatë, në Gjoricë të Dibrës, buzë Drinit të Zi më 25 korrik 1844.

Dibranët ishin betuar, ashtu siç në këngë thuhet, “dibrën turkut mos me ia lënë”. Pra, Hajredin Pasha ishte pushtues dhe jo heroi i Dibrës.

Advertisement