Connect with us

Shkrime

Metamorfoza e Albin Kurtit me kauzën politike

“Kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme që Kosova mund të arrijë në kushtet aktuale” – Kështu e kishte cilësuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ujdinë e pranuar nga ana e tij fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars, marrëveshje për të cilën presidentja Vjosa Osmani, ishte shprehur “absolutisht e zhgënjyer” meqë njohja reciproke s’ishte eksplicite e përfshirë në nenet e saj.

Tani, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe personi i dytë më i rëndësishëm pas Albin Kurtit në procesin e dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, pohoi se Kosova ka bërë një lëshim të madh gjatë ujdisë duke hequr dorë nga njohja formale me Serbinë.

Përkundër një lëshimi të madh, Bislimi, në një intervistë për mediumin opozitar serb, Danas, tha se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit e dërgon Kosovën në një situatë të re dhe më stabile, duke kërkuar zbatimin e plotë të saj.

Ishte pikërisht Lëvizja Vetëvendosje, eksponentët kryesor të të cilës pranuan një marrëveshje pa njohje të ndërsjellët, por që me të cilën kishin ndërtuar kauzën politike se “nuk ka lëshime për Serbinë në kurriz të Kosovës”, kurse tani po pranojnë që Kosova ka hequr dorë nga njohja de jure – e cila do të duhej të ishte qendra e marrëveshjes sipas Albin Kurti, I cili  pranohet se është mjaftuar me një njohje të tërthortë, me pak fjalë me një njohje që s’duket kërkund.

Po, çfarë kishte deklaruar presidentja e vendit pak javë pas arritjes së akordit?

Në një intervistë për gazetën britanike “The Sun”, Osmani, kishte thënë se ka mbetur “absolutisht e zhgënjyer” që ujdia në fjalë nuk përmban njohjen reciproke në qendër dhe për të cilin kryeministri, Albin Kurti, insistonte me ngulm për një kohë të gjatë.

Sipas saj njohja reciproke ishte e vetmja zgjidhje që mund të dërgojë të dy vendet në paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.

“Serbia duhet të arrijë në atë pikë ku kupton se realiteti i Kosovës si shtet i pavarur sovran është një realitet që do të ekzistojë përgjithmonë, se nuk do të kthehet dhe nuk do të ndryshojë”, kishte potencuar Osmani.

Marrëveshja Bazë e dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel e përforcuar më 18 mars në Ohër me Aneksin për zbatimin përbëhet prej 11 nenesh.

Ajo nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insistoi Kosova, por kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Advertisement