Kosova
Mëvetësia e penguar
Nga: Shqiprim Pula
Republikës së Kosovës i duhet lider që e ekspozon idiotësinë e kësaj qasje të Unionit Evropian, që thekson se kemi jetuar përtej mundësive tona duke luftuar edhe për ekzistencën e qenies sonë dhe se një botë tjetër politike është e mundur
Teksa e filluam një vit të ri, me një të vërtetë të plotë të pasigurisë në Evropë, ne, në anën tjetër, vazhdojmë me mëvetësi akoma të parrumbullakuar dhe të paregjistruar si proces, sa nga goditjet e fqinjit tonë verior po aq edhe nga mosnjohësit e mëvetësisë anëtar të Unionit Evropian. Sa prej nesh do ta mendonte se, ndërsa po afrohet përvjetori i shtatëmbëdhjetë i shpalljes së mëvetësisë së Kosovës republikë, më 2008, do ta kishim një status juridik ndërkombëtar të paregjistruar e pranuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) apo edhe Unioni Evropian (UE).
Nacionalizmi agresiv serb dhe vizioni utopik i Unionit Evropian me dialogun Kosovë-Serbi, me narrativën sa sovjetike po aq cinike e kufizuar veçse “normalizim marrëdhëniesh” pa njohjen reciproke, e këmbëngulur në kushtëzimin ndaj palës së Kosovës për parimin e mirëkuptimit duke lënë pas dallimin kombëtar, gjuhësor, historik e kulturor me serbët në Serbi, na ka dërguar në udhëkryq me një dalje në rreth! Ashtu siç nuk ka qenë e mundur të evitohen dallimet ndërmjet sllovenëve e serbëve, kroatëve e serbëve apo edhe malazezëve e serbëve, nuk do ketë kurrë evitim dallimesh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve; po ashtu të trazuar ishin lobuesit brenda Unionit Evropian, të cilët u bënë thirrje politikanëve të kohës në Kosovë e Serbi për “guxim” për rivendosje të dialogut sipas edhe rezolutës të shtator 2010-s të OKB-së.
Ligjet dhe zakonet ndërkombëtare që dekretonin të drejtën e krijimit të një shteti u konfirmuan me mendimin ligjor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në korrik 2010 për Kosovën. Megjithatë, ajo që GjND-ja nuk parashikoi e as sanksionoi ishte që palët ta njihnin njëra-tjetrën si palë ndërluftuese të pabindura, që t’i formalizonin kufijtë sipas kushtetutës së ish-Jugosllavisë të vitit 1974, e cila përcaktonte dhe njihte kufijtë ndërmjet njësive të ish-federatës. Duke kronizuar situatën juridike ndërkombëtare të Kosovës si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, bëhej e mundur përcaktimi i nivelit ndërshtetëror në rajon dhe i rrugëtimit euroatlantik. Por, nga çfarë doli në pah ishte veprimtaria e shteteve në arenën ndërkombëtare që influencohet vetëm nga vullneti i tyre për të akumuluar fuqi përgjatë procesit dialogues, me rolin dhe të drejtën e disa shteteve në mbrojtjen që politika e jashtme e tyre ia bënte njërës palë, në këtë rast, Serbisë
Dialogu si proces marshimi i gjatë në kërkim të ideve që do të mund të përcaktonte formën e shtetësisë duke qenë si palë Serbia në një anë, me kërkesën bosht për Asociacionin serb dhe Unioni Evropian me kushtëzimet dhe mosnjohjen e mëvetësisë nga ana tjetër, kanë ndikuar në vakum. Mëvetësia në vakum mund të konsiderohet “subjektiviteti i papërmbyllur” për shkak të ekzistencës së çështjeve të pazgjidhura dhe sfidave të vazhdueshme që nga marsi 2011, kur filloi procesi i dialogut me Serbinë në Bruksel. Megjithëkëtë, tema të caktuara janë konsideruar të pranuara, si arritje të rëndësishme që kontribuuan në kuadër të frymës evropiane, por që në fakt, në raport me Serbinë ka ndodhur një bashkim tekstesh të këngëve që është ngatërruar kënga në tërësinë e saj si nga tekstshkruesit dhe nga këngëtarët që harronin tekstin. Në të vërtetë çfarë e parashikuar në mënyrë të pakujdesshme nga Unioni Evropian ishin; konsiderata e zyrtarëve të saj që merrej aq shpejt si e mirëqenë aktrimi politik i udhëheqësve shtetëror serbë në raport me dialogun, si dhe sulmet mbi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës përmes fushatës së pandërprerë të Serbisë për “çnjohjet” e deri tek ekstremi me sulmet paraushtarake ndaj rendit kushtetues dhe integritetit territorial në veri të Republikës së Kosovës, pra arsyet e dukshme të pakujdesisë lejuan politika shkatërruese të qeverisë serbe si ndaj nesh këtu ashtu edhe për UE-në.
Unioni Evropian, strukturat drejtuese të saj dominohen nga një regjim elitash e të cilat e kanë humbur konceptin e shtetit kombëtar jo rrallë, veprimet e tyre anojnë kah mbizotërimi i një superfuqie të Unionit dhe fare pak të shtetit si njësi e Unionit Evropian. Prandaj emisarët e zyrtarët e saj, të paaftë e deiluzivë, Republikën e Kosovës e kanë gënjyer sistematikisht. Gënjeshtra më e madhe e politikës së emisarëve e zyrtarëve të UE-së mbetet se nuk ka alternativë dhe se Prishtina zyrtare duhet të jenë në dialog me Serbinë duke i bërë politikanët të besojnë se Republika e Kosovës ia ka borxh dialogun.
Republikës së Kosovës i duhet lider që e ekspozon idiotësinë e kësaj qasje të UE-së, që thekson se kemi jetuar përtej mundësive tona duke luftuar edhe për ekzistencën e qenies sonë dhe se një botë tjetër politike është e mundur.
(Autori është njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare)