Bota
Mianmari në situatë kritike pas tërmetit/ Raportohet mbi 3300 viktima dhe…

Tetë ditë pas tërmetit shkatërrimtar në Mianmar, një pjesë e madhe e popullsisë ndodhet në kushte kritike dhe ka nevojë të menjëhershme për ndihmë. Megjithatë, ndihmat humanitare po shpërndahen në mënyrë të pabarabartë, duke favorizuar zonat që mbështesin regjimin ushtarak, sipas akuzave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Deri tani, junta ushtarake nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga mediet shtetërore, numri i viktimave ka arritur në 3.354, ndërsa 220 persona rezultojnë të zhdukur. Mbi 4.800 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, organizatat humanitare paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive si kolera, për shkak të mungesës së kushteve sanitare dhe aksesit në ujë të pijshëm.
Situata është përkeqësuar nga konflikti i vazhdueshëm civil që ka destabilizuar vendin që prej grushtit të shtetit ushtarak në vitin 2021. Qeveria e zgjedhur e drejtuar nga Aung San Suu Kyi u rrëzua nga pushteti, dhe prej asaj kohe më shumë se tre milionë qytetarë janë zhvendosur. Edhe para tërmetit të 28 marsit, kujdesi shëndetësor ishte i limituar, por tani, në zonat e goditura, është thuajse i pamundur. Mijëra vetë po përballen me urinë dhe mungesën e ndihmave bazë. Sipas OKB-së, më shumë se një e treta e popullsisë së Mianmarit ka nevojë për ndihmë humanitare emergjente.
Tërmeti me magnitudë 7.7 i shkallës Rihter ishte ndër më të fuqishmit në historinë moderne të vendit, duke shkaktuar shembjen e shumë ndërtesave, përfshirë spitale dhe shkolla, dhe duke shkatërruar komuna të tëra.
Në përpjekje për të lehtësuar situatën dhe për të mundësuar ndihmat, junta ushtarake shpalli një armëpushim të përkohshëm më 2 prill. Megjithatë, sipas të dhënave të OKB-së, armëpushimi nuk po respektohet. Nga mesi i javës janë regjistruar të paktën 16 sulme ajrore të ushtrisë, përfshirë në zona të prekura rëndë nga tërmeti
Vizita e fundit e kreut të juntës, Min Aung Hlaing, në samitin rajonal në Bangkok, ka shkaktuar reagime të ashpra dhe protesta në vendet fqinje, ndërkohë që në Mianmar, kriza humanitare dhe pasojat e luftës po e bëjnë të ardhmen gjithnjë e më të pasigurt për miliona qytetarë.

