Kronike
Mijëra euro të padeklaruara, familja Troplini pretendon janë nga aktiviteti i shitjes së vezëve dhe pulave
Aksioni i SPAK dhe RENEA, solli zbulimin e një shumë të madhe në euro në banesën dhe lokalin e Fatmir Troplinit, djalit të biznesmenit të Durrësit, Xhevdet Troplini, i cili në Durrës njihet me nofkën “Poja”.
Në asnjë aksion të mëparshëm policia dhe SPAK, nuk është ndeshur ndonjëherë me këtë sasi të madhe eurosh CASH, që përllogaritet në 1 milion euro.
Ndërsa pasuria e përgjithshme në makina dhe ora luksoze të sekuestruara, përllogaritet në gati 3 milion euro.
Në momentin kur policia i ka zbuluar eurot në bidonë plastikë të groposur në tokë, në sirtarë dhe vende të ndryshme, familjarët e Fatmir Troplinit, kanë pretenduar se kjo pasuri rrjedh nga aktiviteti tregtar në biznesin e shitjes së vezëve dhe pulave, biznes ky që administrohet nga familja Troplini.
Tufat me euro të vendosura në valixhe dhe vende të ndryshme, ishin qershia mbi tortë dhe ajo që justifikoi mundin e këtij operacioni të ndërmarrë nga SPAK.
Kjo pasi pjesa më e madhe e bosëve të krimit në Shqipëri, ishin larguar përpara kryerjes së këtij operacioni, duke hedhur dyshime të forta për dekonspirimin e tij.
Familja Troplini, ka influence të forta në qytetin e Durrësit dhe dyshohet se ka aktivitet kriminal në tregtinë e heroinës dhe kokainës.
Disa prej anëtarëve të kësaj familje, kanë mbajtur të fshehur dhe Nuredin Dumanin, që sot është bashkëpunëtori i penduar i SPAK. Për shkak të kësaj situate, RENEA dhe SPAK në muajin Maj 2022 ushtroi kontrolle në banesën e nipit të Troplinit, Ervisit.
Familja e Troplinit, është lidhur ngushtësisht dhe me lëvizjen socialiste për integrim, e cila ka dalë hapur në fushata elektorale për këtë subjekt.
Fatmir Troplini, djali i Xhevdetit zotëron kompaninë e pularisë të quajtur “GLAUK imp-exp“, të cilën e ka themeluar në vitin 2017.
Kjo kompani nga dita e themelimit e deri më sot ka pezulluar dy herë aktivitetin e saj.
Ndërsa në emër të Xhevdet Troplinit, janë të regjistruara tre biznese të ndryshme, si shoqëria aksionere “Euromag 2000”, “Ovvital” në të cilin është aksioner me Hysen Doccin dhe ka një biznes tjetër që mbarështon pulat.