Aktualitet
Mijëra kg pule me salmonelë/ AKU pranon skandalin, një pjesë e madhe janë shitur

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pranuar mes rreshtash skandalin se mijëra kilogramë pula me salmonelë u shitën në treg dhe janë konsumuar nga qytetarët shqiptarë.
Përmes një njoftimi për shtyp, AKU thotë se pas identifikimit të situatës ka marrë një sërë masash, por është kontradiktor kur thotë se ka marrë masa për bllokimin e produktit në fjalë, dhe paralelisht ka inspektuar subjektin për ndjekjen e gjurmueshmërisë. Më pak fjalë, një pjesë e madhe e pulave janë shitur ndërkohë në treg.
Njoftimi i plotë i AKU:
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.
Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, AKU do të vijojë të informojë në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme.

