Sport
Milani përmbys 2-1 Fiorentinën në ‘San Siro’ dhe ‘i rrëmben’ Interit kreun e Serie A, Leao shkëlqen me dy gola
MILANO, Itali – Milani ka regjistruar një fitore të rëndësishme në “San Siro”, duke mposhtur Fiorentinën me përmbysje 2-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të Serie A.
Kuqezinjtë dominuan takimin që nga fillimi, duke kontrolluar lojën dhe duke krijuar disa raste të pastra, por pa arritur të konkretizojnë deri në pjesën e dytë. Kur pritej që Milani të zhbllokonte rezultatin, ishin miqtë nga Firenze që kaluan në epërsi me golin e Robin Gosens në minutën e 55-të.
Megjithatë, reagimi i skuadrës së Max Allegrit ishte i menjëhershëm. Vetëm tetë minuta më vonë, Rafael Leao realizoi një supergol nga distanca për të barazuar shifrat në 1-1.
Portugezi ’vulosi’ fitoren e kuqezinjve në minutat e fundit, pasi u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit pas një penalltie të fituar nga Gimenez, duke i dhënë Milanit tri pikë të arta.
Me këtë triumf Milani ngjitet në krye të tabelës së Serie A me 16 pikë, ndërsa Fiorentina mbetet në pozitën e 18-të me vetëm tre pikë.
Po këtë të diel në Serie A u zhvilluan edhe katër takime të tjera. Como mposhti 2-0 Juventusin, Bologna fitoi 0-2 në Sardegna kundër Cagliarit, ndërsa Genoa – Parma dhe Atalanta – Lazio u mbyllën pa gola, pra 0-0.