Politike
Miliona lekë për zyrat e mbyllura dhe “pa adresë” të deputetëve në qarqe
Kuvendi i Shqipërisë shpenzon miliona lekë çdo vit për të mbajtur hapur 24 zyra deputetësh në rrethe, por monitorimi ka provuar se këto zyra as nuk janë funksionale dhe as frekuentohen nga deputetët. Edhe Java e Gjelbër dhe seanca e përmuajshme, parlamentare dedikuar zgjedhësve në fakt iu dedikohet replikave politike.
I zhgënjyer se as këtë të enjte (21 dhjetor) nuk mundi të takonte asnjë prej deputetëve të zonës, Ferik Imeraj ulet për të ndezur një cigare.“Është hera e tretë që vij (te Kuvendi) nga Mallakastra, por s’të qas njeri”, – thotë 50-vjeçari, i cili kërkon ndihmë për një pagesë invaliditeti. Njëjtë si Feriku, dhjetëra qytetarë udhëtojnë të enjteve nga rrethet, me shpresën për të takuar ndonjë deputet pranë Parlamentit.“Po ku t’i gjej unë ata, në Mallakastër apo në Fier? Në takime nuk vijnë pas zgjedhjeve. Në telefon nuk kthejnë përgjigje”, – ankohet Imeraj, i cili nxiton për të kapur furgonin e fundit për ta çuar në shtëpi. Kuvendi i Shqipërisë vendosi në vitin 2014 hapjen e 24 zyrave të deputetëve në çdo qendër qarku. Një zyrë do të ishte në dispozicion të maxhorancës dhe një tjetër në dispozicion të opozitës, por pas 9 vjetësh këto zyra, jo vetëm që nuk janë hapur në mbarë vendin, por, edhe ato që figurojnë zyrtarisht të hapura, nuk janë në shërbim të qytetarëve. Pavarësisht se nuk kryejnë thuajse asnjë funksion, ato vijojnë të marrin miliona lekë çdo vit. Mesatarisht buxheti i shtetit paguan rreth 21 milionë lekë ose 200 mijë euro në vit vetëm për pagat e punonjësve të zyrave të deputetëve, që nuk ekzistojnë. (Paga mesatare 85.000 x 12 muaj =1.020.000 lekë x 21 të punësuar=21.420.000 lekë ose 200 mijë euro)
Në përgjigje të një kërkese për informacion, Kuvendi i tha INA Media-s se opozita nuk ka zyrë të takimit të deputetëve me zgjedhësit në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Beratit. Në Lezhë është e mbyllur zyra për maxhorancën, ndërsa në Tiranë, qarku me numrin më të madh të zgjedhësve (rreth 500 mijë të tillë), nuk ka të hapur asnjë zyrë deputetësh.
“Mesatarisht buxheti i shtetit paguan rreth 21 milionë lekë ose 200 mijë euro në vit vetëm për pagat e punonjësve të zyrave të deputetëve, që nuk ekzistojnë. (Paga mesatare 85.000 x 12 muaj =1.020.000 lekë x 21 të punësuar=21.420.000 lekë ose 200 mijë euro)”
“Nuk janë hapur, për arsye se nuk janë ofruar zyra nga organet e pushtetit vendor”, – sqaron Kuvendi i Shqipërisë, teksa shton se “periodikisht”, Parlamenti iu dërgon shkresa prefekturave, duke iu kërkuar që t`i mundësojnë këto hapësira. Madje, ky institucion nuk di as adresat e sakta të zyrave që janë funksionale. Përgjigjja se “janë të atashuara pranë bashkive në qendrat e qarqeve” u kundërshtua nga disa prej specialistëve që paguhen nga Kuvendi për të punuar aty.“Jemi pranë prefekturës”, – thanë një pjesë prej tyre, por nuk ishin të hapur, që të jepnin përmes telefonit një vendndodhje konkrete.“Është në një pozicion që nuk e gjen dot lehtë. Është pak e ngatërruar e s’ta shpjegoj dot”, – u shpreh punonjësi i opozitës për qarkun e Dibrës.“Ne nuk kemi zyrë fare. Nuk na japin. Na thonë: “Prisni”. Maxhorancës ia japin, po neve, jo. Unë punoj nga zyra e partisë”, – tha specialistja e opozitës për qarkun e Elbasanit. INA Media vëzhgoi bashkitë, që janë qendër qarku, por mundi të gjente hapur vetëm zyrat e qarkut Kukës dhe Korçë. Ato ishin të dukshme, me tabela orientuese. Në qarkun verior ishin në punë të dy specialistët, edhe ai i shumicës, edhe ai i pakicës, ndërsa në Juglindje zyra e opozitarëve ishte e kyçur. Në qarqet e tjera nuk ishte e mundur të gjeje zyrën e deputetit. Me vështirësi lokalizuam zyrën e deputetit në Shkodër, që, siç dokumentohet nga fotot, është në një ambient të amortizuar dhe të padallueshëm nga zgjedhësit.
Në çdo rast, Parlamenti nuk ka publikuar, jo vetëm adresat, por as emrat dhe kontaktet telefonike, zyrtare të specialistëve në fjalë. As dy grupet më të mëdha parlamentare, ai i Partisë Socialiste dhe ai i Partisë Demokratike, nuk vunë në dispozicion një listë me adresat e sakta, ku zgjedhësit mund të gjejnë deputetët e tyre. Për Afrim Krasniqin, që monitoron prej vitesh Kuvendin si drejtues i Institutit të Studimeve Politike, edhe pse projekti i zyrës së deputetëve u iniciua kryesisht nga OSBE-ja dhe pati pritshmëri të mëdha, “realisht nuk funksionon”. Arsyeja e parë, sipas studiuesit, lidhet me sistemin zgjedhor, që nuk e lidh deputetin drejtpërdrejt me një zonë zgjedhore.
“Rreth 20% e deputetëve, kryesisht figurat qendrore të politikës, zhvendosen nga zona në zonë nga një legjislaturë në tjetrën, në varësi se ku janë nevojat politike të partisë”, – argumenton Krasniqi.
Nuk ka kalendar pritjesh për qytetarët
Në rrugë burimore INA Media siguroi kontaktet telefonike të 21 personave që Kuvendi paguan për zyrat e deputetwve në qarqe. Vetëm 16 prej tyre ishin të aksesueshëm përmes telefonit. Ata u kontaktuan në mes të muajit tetor për t’i pyetur paraprakisht, nëse kishin orare të përcaktuara për Javën e Gjelbër (23-29 tetor), ku zgjedhësit mund t`i gjenin aty deputetët.
Vetëm specialisti i opozitës në Dibër dhe ai i maxhorancës në Durrës thanë me siguri një orar dhe një vend të saktë se ku qytetari mund ta takonte deputetin gjatë javës së dedikuar për zgjedhësit. Të tjerët mohuan të kishin një kalendar apo një regjistër të mbajtur mbi numrin e qytetarëve që kishin pritur dhe problematikat që ata kishin paraqitur.“Nuk kemi një kalendar, unë flas vetëm me shefen, ministren Kumbaro, që është drejtuese politike qarku, nuk mbaj kontakte me deputetë të tjerë. Ju mund të ma thoni mua shqetësimin dhe unë ia kaloj shefes. Mund të më gjeni në zyrë rreth orës 11”, – u përgjigj përmes telefonit Kushulle Kore (e maxhorancës), në Gjirokastër. Edhe Anita Doçi e opozitës, në Tiranë, pohoi se nuk bëheshin takime me program paraprak.“Deputetët e Tiranës i takojnë vetë zgjedhësit, jo të organizuar nga zyra ime. Ju e kuptoni që ndikon edhe situata në parti. Deputetët nuk kanë shprehur dëshirë për të organizuar takime me komunitetin”, – tha ajo, duke saktësuar se nuk kishte një zyrë, por mund ta gjenim pranë Kuvendit. Në qarkun e Fierit e punësuara për maxhorancën, Erinda Tahiri, tha se deputetët e zonës nuk kishin takime të programuara për këtë Javë të Gjelbër.
“Nuk kemi pasur asnjëherë një kalendar paraprak, që të njoftohet dhe njerëzit ta dinë, që të vijnë”, – shpjegoi ajo.
Specialisti i opozitës për këtë qark, Burhan Misraj, shprehu shqetësimin se nuk kishte një zyrë, por se “do të përpiqej që të organizonte një takim me ndonjë deputet”.
Mungesën e zyrës për opozitën e ngriti edhe Xhoana Mezini nga Durrësi.
“Nuk kemi takime të planifikuara. Nuk na kanë hapur një zyrë dhe mund të na gjeni në selinë e PD”, – tha ajo. Pa kalendar punon edhe zyra e shumicës parlamentare në Elbasan. Sipas Esmeralda Mallosit, PS zhvillon takime edhe gjatë javëve të tjera, ndaj për këtë Javë të Gjelbër nuk kishin ndonjë plan.
“Deputetët janë në terren, por ju mund të ma thoni mua problematikën, unë ua kaloj drejtorëve, nuk kemi pse presim deputetët”, – insiston ajo. Edhe specialistja e PS-së në Lezhë përpiqet të marrë përsipër zgjidhjen e problemit, pa kaluar te deputeti. “Ndoshta ta zgjidh unë ose merre deputetin në telefon”, – shprehet Ervisa Gjoka.
Altin Mema, që ndihmon deputetët e opozitës në Lezhë, interpreton se “deputetët nuk janë të detyruar që t’i bëjnë këto takime”. Ai vijon më tej, duke kërkuar që, nëse bëhet fjalë për një qytetar, që ka një problem, mund t’ia shpjegojmë situatën me një mesazh dhe pastaj, sipas tematikës, ai do t’ia adresojë “deputetit që i takon”.
Kuvendi i Shqipërisë pohon se “nëpunësit civilë të administratës së Kuvendit nuk kanë një kalendar të përcaktuar oraresh, kur deputetët i presin qytetarët gjatë Javës së Gjelbër”.
As dy grupet më të mëdha parlamentare, ai i Partisë Socialiste dhe ai i Partisë Demokratike, nuk i dhanë INA Media-s ndonjë kalendar konkret takimesh me zgjedhësit, as ndonjë koment se pse nuk e kanë një praktikë të tillë.
Java e Gjelbër ose java “jashtë shtetit”
Në të njëjtën Javë të Gjelbër (23-29 tetor), në të cilën INA Media pyeti për kalendar specialistët, monitoroi edhe rrjetet sociale të 140 deputetëve, nëse kishin publikuar foto apo video nga takimet me zgjedhësit e tyre, gjysma e deputetëve (70) nuk kanë reklamuar në Facebook, në profilet apo në faqet e tyre, zyrtare asnjë aktivitet me pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë. 27 prej tyre i takojnë maxhorancës së Partisë Socialiste dhe 43 janë të shpërndarë në grupime të ndryshme, opozitare.Vetëm 24 deputetë gjatë Javës së Gjelbër të muajit tetor organizuan takime të posaçme me zgjedhësit me tematika të ndryshme, në grupe të vogla, ku duket qartë ligjvënësi, duke biseduar dhe duke dëgjuar komunitetin.Takimet e 9 deputetëve të tjerë kanë qenë me fokus partinë dhe jo zgjedhësit. Disa deputetë, kryesisht nga maxhoranca, kanë pasur aktivitete, nga ku nuk kuptohet qartë se cili është roli i deputetit dhe nuk mund të konsiderohen prerazi si aktivitete me zgjedhësit, raste kur deputetët shoqërojnë kryeministrin apo ministrat në inspektime të ndryshme të investimeve qeveritare. Gjatë Javës së Gjelbër të muajit tetor, të paktën 30 deputetë udhëtuan jashtë vendit, si pjesë e delegacioneve të ndryshme, përfaqësuese të Shqipërisë.
Kryetarja e Kuvendit ishte në Uashington. I gjithë Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese zhvilloi një vizitë zyrtare në Romë dhe morën pjesë 10 deputetë. Katër të zgjedhur, (Jorida Tabaku, Lavdrim Krashi, Oraldo Rakipi dhe Arbi Agalliu) nga Komisioni për Çështjet Europiane, vizituan senatin italian.
Seancat “false”, dedikuar zgjedhësve
Pas çdo Jave të Gjelbër, një herë në muaj, Kuvendi zhvillon një seancë të posaçme për zgjedhësit, në mënyrë që deputetët të sjellin në parlament problematikat e hasura në takimet me qytetarët. Qëndresa Qytetare vlerëson se seancat e posaçme për zgjedhësit janë false.
“Nëse shohim seancat pas Javës së Gjelbër, ato nuk përmbajnë informacion, që vjen nga terreni, por mbizotëron agjenda e kalendarit të Parlamentit dhe retorika politike mes forcave përbërëse”, – shprehet Rigels Xhemollari.Qëndresa Qytetare e kategorizon Javën e Gjelbër “në praktikë, një javë pushimi dhe argëtimi për deputetët” gjatë periudhës normale, politike, përkundër periudhës së fushatave.
Askush nuk i monitoron
Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë paguan miliona lekë çdo muaj për mbajtjen hapur të zyrave rajonale të deputetëve, askush nuk monitoron, nëse ato janë hapur çdo ditë në orarin zyrtar dhe aq më pak, nuk kontrollohen deputetët, nëse i frekuentojnë apo jo ato.
“Nëpunësit civilë të Kuvendit nuk kanë pjesë të veprimtarisë së tyre të monitorojnë mbajtjen hapur të zyrave të deputetëve në qarqe, përsa i takon pritjes së qytetarëve dhe takimeve të deputetëve me zgjedhësit e tyre”, – thotë Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj.
Parlamenti nuk ka raporte për numrin e qytetarëve, që kanë shkuar në këto zyra dhe as ndonjë të dhënë mbi problematikat që kanë shprehur ata. Madje, Kuvendi nuk merr përsipër as kontrollin e vajtjes në punë ose jo të specialistëve, që vetë i paguan.
Të gjithë specialistët, që duhet t`i mbajnë hapur zyrat e deputetëve, paguhen nga Kuvendi i Shqipërisë me një pagë mujore 80-95 mijë lekë në muaj. Kuvendi e lëvron këtë pagesë pa asnjë konfirmim apo kontroll, nëse këta individë paraqiten ose jo në punë.
Madje, ky institucion i tha INA Media-s se po paguan edhe ata specialistë që janë emëruar, por që nuk kanë zyra pune, me argumentin se ligji e lejon. Duke mos marrë në konsideratë kostot e pamatshme për energji elektrike, internet e materiale të tjera zyrash, funksioni i këtyre zyrave i kushton buxhetit të shtetit rreth 21 milionë lekë në vit dhe për performancën dhe eficiencën e tyre nuk gjendet asnjë document, apo raport zyrtar. Krahas këtij shpenzimi, deputetëve iu paguhet një tarifë mujore për karburant dhe telefon, me qëllim që ata të ruajnë kontakte të vazhdueshme me zgjedhësit. Raporti i fundit i Kuvendit të Shqipërisë për përfitimet e deputetëve tregon se ata kanë marrë vetëm për një muaj në total 4,5 milionë lekë (të reja) kompensim për shpenzime karburanti, 2,2 milionë lekë pagesë për faturat e telefonit dhe 9,2 milionë lekë dieta për udhëtime brenda vendit.
“Një pjesë e madhe e deputetëve jetojnë në kryeqytet, nuk kanë zyra të dedikuara për qytetarët, ndërsa në periudha fushate ata takojnë vetëm militantët e partive, por ndërkohë paguhen, shpërblehen me dieta dhe benefite të tjera për të ushtruar rolin e tyre kushtetues ndaj çdo qytetari të kësaj republike”, – akuzon Xhemollari.