Politike
Ministri i Drejtësisë ultimatum: Do krijojmë listën e zezë për ndërtimet pa leje, s’do i shpëtojë askush

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në konferencën ku po prezantohet paketa e masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit deklaroi se do përgatitet një listë e zezë me të gjithë emrat e zhvilluesve, ndërtuesve e deri tek punonjësit e administratës që shkelin ligjin.
“Lidhur me forcimin e kontrollit mbi ndërtimet pa leje, ligji i ndryshuar parashikon hartimin e listës së zezë. Do të kemi një listë të zhvilluesve dhe individëve që shkelin ligjin. Nuk do të jenë vetëm zhvilluesit apo ndërtuesit, por edhe administratorët dhe përfituesit finalë. Kësaj liste të zezë nuk do t’i shpëtojë askush. Dikur i shpëtonin ligjit duke ndryshuar emrin e kompanisë apo administratorin. Përjashtohen nga marrja e lejeve të ndërtimit për pesë vite. Sigurisht, në konceptin e zhvillimit të territorit, bashkëpunimi në rastin konkret është i detyrueshëm sipas ligjit. Do të monitorohen në kohë reale,” tha Manja.
Ai shtoi se parashikohen ndëshkime edhe për punonjësit e administratës, madje shkeljet e tyre janë ngritur në nivelin e një vepre penale.
“Do të konsiderohet shkelje shumë e rëndë dhe do të sjellë si pasojë largimin nga puna, dhe punonjësit do t’i ndalohet të punojë në institucione publike për një periudhë 7-vjeçare. Kategoria e punonjësve publikë është shumë e gjerë, përfshin gjithë kategorinë e nëpunësve publikë që kanë kompetenca dhe detyra specifike në zhvillimin e territorit,” tha ai.
Ai theksoi se paketa e re ligjore e propozuar nga qeveria për mbrojtjen e pronës dhe territorit është një hap drejt një modeli të ri zhvillimi dhe se synon të mbrojë territorin nëpërmjet masave administrative dhe penale.

