Bota
Ministri i Shëndetësisë në Itali tregon planet për vaksinimin: Do të jetë falas dhe do të fillojë në muajin…
ROMË-Italia do të nisë programin e vaksinimit në masë për Covid-19 në fillim të vitit të ardhshëm. Këtë lajm e ka konfirmuar Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, i cili në një deklaratë për mediat gjithashtu ka thënë se ajo do të jetë falas.
Sakaq, pothuajse si të gjithë vendet dhe në Itali, sipas tij prioritet për vaksinën si fillim do të ketë personeli shëndetësor dhe të moshuarit.
“Të nderuar kolegë, për stuhinë që po kalojmë, më në fund kemi një destinacion përpara nesh, ne kemi një rrugë të pastër dhe një strehë të sigurt. Tani është e mundur, pasi me shumë gjasë, duke nisur nga janari do të kemi vaksinat e para dhe më pas do të jemi në gjendje që të vaksinojmë një numër gjithnjë e më të madh italianësh. Kjo është pika e kthesës, të cilën e kemi pritur dhe drejt së cilës kemi punuar për shumë muaj. Blerja e vaksinës do të centralizohet dhe shpërndahet falas për të gjithë italianët. E centralizuar dhe shpërndarë falas për të gjithë”, u shpreh Speranza.
Që prej fillimit të pandemisë në Itali janë shënuar 1,620,901 raste pozitive me Covid-19 dhe kanë ndërruar jetë 56,361 persona.