Connect with us

Kosova

Ministria e Punëve të Jashtme: Nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë sot se nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një reagim të MPJ-së thuhet se është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Lexoni të plotë reagimin e MPJD-së:

Nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës

Duke qenë se procedura e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është komplekse dhe për t’i sqaruar disa keqkuptime dhe keqinterpretime të bëra së fundi, e shohim të nevojshme publikimin e kësaj komunikate.

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit.

Në muajin shtator të vitit 2022, nga vet Sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Nga lobimi i përbashkët me delegacionin e Parlamentit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për herë të parë në historinë tonë është siguruar e drejta e fjalës për delegacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo e drejtë është shfrytëzuar përgjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare.

Para dorëzimit të aplikimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen të gjërë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit. Kjo situatë ka rezultuar edhe në angazhim konkret të një numri të vendeve anëtare mbështetëse për t’i kaluar pengesat përgjatë këtij procesi të anëtarësimit. Këto fakte, përveçse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë vërtetuar edhe nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës.

Qytetarët e shteteve demokratike të Evropës, e kanë të drejtën e pamohueshme për të pasur çasje në instrumentet e Këshillit të Evropës, veçanërisht në Gjykatën Evropianë për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut). Kjo e drejtë e qytetarëve të shtetit më demokratik në rajon, me progres të jashtëzakonshëm në sundimin e ligjit dhe reformave në drejtësi, nuk mund të kushtëzohet nga procese të tjera që nuk janë standarde të Këshillit të Evropës.

Është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Aplikimi i Republikës së Kosovës është në fazën e parë. Më saktësisht, në këtë fazë, Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka thyer status-quo e dëmshme të ndalimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata dhe instrumente ndërkombëtare dhe po angazhohet që Republika e Kosovës të anëtarësohet në organizata nga të cilat qytetarët e Republikës kanë përfitimet më të mëdha. Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të angazhohet që faza e parë të kalohet sa më parë.

Advertisement