Politike
Ministrja serbe: Tema e dialogut s’është njohja e Kosovës
Ministrja e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Misçeviç, beson se kërkesa e Bashkimit Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës në formën de facto, është jo e duhur.
BE-ja po e “qorton” Beogradin për dështimin e tij për të sanksionuar Rusinë dhe mungesën e përparimit në përpjekjet për të zbutur tensionet me Kosovën – dy çështje që po bllokojnë rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Serbisë që të njohë Kosovën de facto, sipas Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, megjithatë ky apel sipas ministres serbe, është i ekzagjeruar duke pasur parasysh se pesë vendet e BE-së – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – nuk e njohin Kosovën.
“Njohja nuk është tema e procesit të normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nëse çështja do të ishte njohja, atëherë normalizimi nuk do të ndodhte fare” – ka thënë ajo për mediumin prestigjioz amerikan, Politico.
Duke folur për kërkesën e Bashkimit Europian për të sanksionuar Rusinë, pas agresionit në Ukrainë, Misçeviç theksoi se nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë Serbia humbet shumë në aspektin ekonomikë, meqë ajo mbështetet te Moska për pothuajse 90 për qind të furnizimeve të saj me gaz. Sipas saj qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë “nuk është ideologjik”.