Shkrime
Minjtë heronj të Serbisë dhe bojkoti i Brukselit
Nga Sadri Ramabaja
Në përpjekjet këmbëngulëse të Serbisë për t’ju shmangur realizimit të Marrëveshjes së Brukselit, ishte nxitur Lista Serbe që të bojkotonte institucionet, teksa e vunë në zbatim më 5 nëntor të vitit 2022, kur mbi 500 policë serbë, gjyqtarë e prokurorë braktisën institucionet.
Paraprakisht Lista Serbe, më 19 maj 2023, ishte mobilizuar e tëra dhe kishte përballur njësitet speciale serbe të pauniformuar me trupat e KFOR-it, duke e shndërruar Leposaviçin në arenë tragjikomike të llojit të vet, që do të përfundonte me plagosjen e mbi 90 ushtarëve të KFOR-it.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri” – ishte shprehur atëkohë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, teksa zëvendësi i tij Milivoje Radojçiç, do të merrte një detyrë më të rëndë – atë të prijësit ushtarak për organizimin e kryengritjes popullore.
Të inspiruar nga “heshtja” perendimore, falangat shoviniste serbe do ta përshpejtonin këtë aksion, duke kulmuar me sulmin që për shumëçka i ngajnte marshit rus në Krime, dhe më 24 shtator 2024 do të pozicionoheshin në Manastirin e Banjskës, i njohur si qendër e pelegrinazhit ortodoks.
Përfundimi i atij plani që në vetvete gjykohej se do të ishte një Blickrieg, respektivisht uverturë për pushtimin e veriut të Kosovës.
Mediat e botës gjatë ditës që po zhvillohej operacioni, dhe ndërsa njësitet speciale të Policisë së Republikës i kishin neutralizuar plotësisht dhe mund t’i zhduknin agresorët si minjtë, njoftonin se Beogradi kishte dhënë alarmin në qendrat diplomatike dhe kishte arritur t’i bindë forcat e KFOR-it që t’ju krijohet forcave serbe një koridor për tërheqje, pasi që një numër simbolik kishin rënë në duar të Policisë, ndërkaq një dyzinë ishin plagosur dhe po aq edhe ishin vrarë, duke e lënë në vend të vrarë policin, tani hero, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur një spartan tjetër nga pala jonë.
Pamjet e “trimave” të Radojçiçit duke ikur shpatijeve të Banjskës drejt kufirit serb, tanimë janë stivuar në kujtesën e historisë, por jo edhe numri real i të vdekurve nga ana e atyre që pretendonin të hynin në historinë serbe si “Junaci” apo ndryshe ‘Heronj’
Lajmet e fundit, titujt, depeshet e diplomatëve dhe sidomos paralajmrimi i presidentit francez lidhur me konsekuencat për palën që do të jetë përgjegjëse për dështimin e marrëveshjes së Brukselit, u përsëritën gjatë javës që lamë pas disa herë, jo vetëm në emsionet qendrore të Televizioneve, por edhe në debatet e shumta të studiove televizive.
Shumë gjëra kanë ndodhur në Kosovë dhe rreth saj gjatë këtij viti, por esencialisht në Paris, në Berlin a në ndonjë qendër tjetër vendimmarrëse në Europë, fare pak kanë ndryshuar në raportet me gjykimin e Serbisë si përgjegjëse e dështimit të kësaj marrëveshjeje.
Madje edhe pas një viti të veprimit të plogësht të diplomacisë europiane, europerendimorëve duket se u mungon empatia për të kuptuar me të vërtetë dimensionet komplekse të kësaj qëndrese serbe dhe për t’i komunikuar ato me ndershmëri. Prandaj Serbia ka bojkotuar dhe vazhdon ta bojkotojë Marrëveshjen e Brukselit.