Aktualitet
Mira Murati tashmë ndër 50 gratë më të pushtetshme në botë, sipas Fortune

Emri: Mira. Mbiemri: Murati. Pozita: Sipërmarrëse në botën e Inteligjencës Artificiale. Statusi: Një ndër 50 gratë më të pushtetshme në botë.
Shqiptarja e Inteligjencës Artificiale “etike” nuk është më një rastësi në botën e teknologjisë globale, por një realitet i palëkundshëm dhe pozitat e saj sa vijnë e forcohen.
Kështu reflekton publikimi i fundit nga revista prestigjioze “Fortune”, e cila për të parën herë, e radhit Muratin ndër 50 gratë më të pushtetshme në botë.
Herën e fundit në renditje, Murati ishte e 57-a. Tashmë, ajo e sheh veten të përmirësuar me 10 pozita, në vendin e 47.
Ajo përshkruhet kështu nga revista prestigjioze:
“Mira Murati, ish-drejtoreshë e teknologjisë së OpenAI, e habiti Silicon Valley kur dha dorëheqjen nga kompania në shtator 2024: Ajo kishte qenë forca lëvizëse pas ChatGPT, modelit revolucionar të IA-së. Gjashtë muaj më vonë, Murati hodhi në treg Thinking Machines Lab, një startup të IA-së që po gjeneron bujë, edhe pse është ende në modalitet të fshehtë. Por, ndërsa detajet rreth projektit mbeten të pakta, ndikimi i 36-vjeçares Murati në sektorin e IA-së është i qartë: Në mesin e majit, ajo thuhet se ishte afër fitimit të 2 miliardë dollarëve në atë që do të përfaqësonte raundin më të madh të investimit në historinë e teknologjisë, duke e vlerësuar Thinking Machines në 10 miliardë dollarë”.
Albanian Post i pati kushtuar Muratit një artikull më 18 maj, ku flitet edhe rreth fenomenit të Thinking Machines Lab.
Thinkin Machines Lab
Fundi i diçkaje nënkupton fillimin e një etape tjetër. Kështu ndodhi edhe për Muratin.
Ajo krijoi pas largimit nga OpenAI Thinking Machines Lab, një startup i ri në fushën e Inteligjencës Artificiale, i cili e vendos sërish në radar Muratin.
Murati kishte vendosur prej zanafillës një dysheme të domosdoshme investimesh. Ajo donte të kapte shifrën prej 2 miliardë dollarësh. Dhe në fakt thuajse e ka arritur këtë.
Diçka e tillë, siç është bërë me dije, do ta çonte vlerën e kompanisë menjëherë në mbi 10 miliardë dollarë. Pra, diku aty ku OpenAi e nisi.
Pjesë e investimit është bërë edhe Shqipëria, me një investim prej 10 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit, si një mënyrë e re për zhvilluar kapitalin, të cilin vendi nuk e ka eksperiemntuar më parë dhe po e bën për të parën herë me kompaninë e krijuar nga Murati.
“Po ndërtojmë një lloj të ri të Inteligjencës Artificiale – një që njerëzit mund t’i besojnë, ta formësojnë dhe ta kuptojnë”, tha Murati në një deklaratë lidhur me kompaninë e saj të re. “Nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e njerëzve, por për amplifikimin e asaj që na bën unikë”.
Në botën e biznesit në fakt, ajo njihet si një magnet për talentin dhe kapitalin. Ajo arrin të gjejë njerëzit më të zotë, të sjellë investime të pamatshme. Por edhe të drejtorë si asnjë tjetër.
Mbi të gjitha, sjell etikën në botën e AI.
Ndryshe nga shumë startup-e në garën e Inteligjencës Artificiale, që përqendrohen në arritjen e inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI), qasja e Muratit është më pragmatike dhe etike.
Thinking Machines Lab po thekson sigurinë, përdorimin dhe AI-në që përshtatet me nevojat individuale dhe kontekstin shoqëror. Vërejtjet e saj publike sugjerojnë se kompania mund të jetë duke eksploruar mjete që kombinojnë arsyetimin simbolik me të mësuarit e thellë – ndoshta duke ndjekur një qasje hibride ndaj arkitekturës së AI-së në përgjithësi.
Diçka që në fakt të tjerët nuk e kanë bërë dhe dallimi i madh me njeriun ky është, pra se AI nuk është mjaftueshëm i njerëzishëm për të kuptuar nevojat dhe pyetjet që dikujt mund t’i lindin, më shumë se një manual se si të bësh gjërat.
Kthimi i vëmendjen për nga qëllimi është çfarë Mira Murati kërkon dhe me Thinking Machines Lab në fakt, duket se po e bën…dhe po e bën mirë.

