Kronike
Mirditë/ U kap me kallashnikov, granata e municion luftarak, vihet në pranga 15-vjeçari

Mirditë-Një 15 vjeçar është vënë në pranga nga policia në Mirditë, pasi u kap duke transportuar armë dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Sinjali”, ku në pranga u vendos E. S., 15 vjeç. Policia ka sekuestruar 3 granata, 1 kallashnikov dhe municion luftarak.
‘Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë, në afërsi të fshatit Fang, teksa transportonte 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, shtetasi E. S., 15 vjeç, banues në Burrel’, thuhet në njoftimin e policisë. Në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, të cilës iu referuan materialet procedurale për rastin, po kryhen hetime për të provuar qëllimin e transportimit të këtyre sendeve, nga 15-vjeçari, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

