Politike
Mirësevjen Blinken! Sekretari amerikan i Shtetit mbërrin në aeroportin e Tiranës
Ora 11:12 Avioni i Sekretarit amerikan të Shtetit zbret në pistën e aeroportit Nënë Tereza
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton sot për herë të parë Tiranën.
Vizita që do të zgjasë 8 orë, ka një rëndësi të veçantë pasi jo vetëm konfirmon partneritetin strategjik me SHBA-të, por forcon pozitat e Shqipërisë si një vend kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor. Një mesazh mbështetjeje për drejtësinë dhe SPAK pritet të jepet gjithashtu nga kjo vizitë. Në deklaratën e DASH për marrëdhëniet me Shqipërinë, thuhet se dy vendet janë partnerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Tirana është ‘veshur’ me flamuj amerikan, ndërsa një banderolë gjigande është vendosur në korpusin e Universitetit të për t’i uruar mirëseardhjen numrit dy të administratës amerikane. Në Rinas do të pritet nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani e më pas nën masa të rrepta sigurie do të udhëtojë drejt kryeqytetit. Në axhendë janë parashikuar takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Takimi me kryeministrin pritet të zhvillohet në harkun kohor 16:15, që më pas do të përmbyllet me një konferencë për shtyp.
Në axhendë janë parashikuar takime edhe me stafin e ambasadës amerikane, afganët e strehuar në vendin tonë dhe të rinj. Ndonëse është përfolur shumë në media, ende jo zyrtar, mbetet një takim i mundshëm me kreun e SPAK, Altin Dumani.
Mes dy vendeve aleate pritet të nënshkruhen edhe dy marrëveshje, të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.