Shkrime
Misioni i pamundur i SPAK
Nga Eduard Zaloshnja
Pak para se Arben Kraja të fillonte punën si Kryetar i SPAK-ut, më rastisi të dizenjonja dhe drejtoja një sondazh opinioni kombëtar në terren, në kuadër të Barometrit të Sigurisë së Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Dhe në mënyrë periodike kam dizenjauar e drejtuar sondazhe të tillë deri para zgjedhjes së Altin Dumanit në krye të SPAK-ut.
Para se Arben Kraja të fillonte punën si Kryetar i SPAK-ut, rreth 41.9% e shqiptarëve (me ekstarapolim të përafërt, rreth 880 mijë) besonin se SPAK-u do të ishte efektiv në luftën ndaj korrupsionit të niveleve të larta. Shumica dërrmuese e tyre (sipas të dhënave të detajuara të sondazhit) ishin zgjedhës që kishin votuar për PS-në.
Në dy vitet pasardhëse, kjo përqindje ra, por jo në mënyrë dramatike (shihni grafikun shoqërues). Ndërsa këtë tetor (para se Dumani të zgjidhej në krye të SPAK-ut), rënia ishte dramatike – vetëm 22.7% kishin besim tek SPAK-u. Dhe kjo rënie (sipas të dhënave të detajuara të sondazhit) u shkaktua nga mosbesimi ndaj SPAK-ut i zgjedhësve që kishin votuar për PS-në.
Siç duket, duke parë rastet e korrupsionit të lartë të çuara në gjykatë nga SPAK-u i Arben Krajës, shumë zgjedhës socialistë kanë krijuar opinionin se ka shënjestruar vetëm ministra, zv.ministra e deputetë socialistë. Ndërkohë, pritmëritë e tyre ndoshta kanë qenë që do të shënjestronte edhe figura të larta të ish-qeverisjes PD-LSI.
Grafiku shoqërues i këtij shkrimi është një paralajmërim serioz për kreun e ri të SPAK-ut. Në betejën e opinionit publik ai do të ndodhet mes Shillës e Karibdës proverbiale. Nga njëra anë, 800 mijë votuesit socialistë presin që SPAK-u t’u vërë prangat Berishës, Metës, etj. Nga ana tjetër, pothuaj 800 mijë votuesit e PD, LSI, PR, etj, etj. presin që SPAK-u t’u vërë prangat Ramës, Veliajt, etj. (ndërkohë, mosvotuest duan të shohin sa më shumë nga të sipërpërmendurit në pranga…)
Misioni i pamundur ky i SPAK-ut në betejën e opinionit publik!