Connect with us

Shkrime

Misteri i hyrjes në Shqipëri i njësisë famëkeqe i GRU-së

Nga Ylli Pata

Siç dhe pritej, ngjarja me tre rusët në bazën ushtarake të Gramshit, do të pasurohej e mbulohej orë pas ore me nuanca misteri e thrilleri, ca me bazë e ca pjellë e fantazisë. Jemi në pikën kulmore të një histori alla Jessica Fletcher, personazhi tashmë mitik i novelave thriller të romancieres angleze me të njëjtin emër. Reporterët e kronikës së zëzë po japin “të dhëna” nga SHISH-i, a thua se kemi të bëjmë me një zyrë që jep informacion, e jo grumbullon info të klasifikuara dhe i analizon për të zbuluar veprimtari problematike ndaj shtetit shqiptar. Megjithatë, pritet që së bashku me të dhënat racionale mbi këtë ngjarje “tërheqëse” për talentet e historive noir, fantazia të kapë edhe nivele mitomane, siç ndodh shpesh këtu tek ne, ku teoritë e konspiracionit gjejnë terren më pjellor se racionaliteti e logjika.

Në këtë puzzle zhvillimesh prej dy ditësh nga incidenti i Gramshit, po bien në sy disa pohime që flasin se kemi të bëjmë me një mundësi që Shqipëria të jetë vizituar nga pjesëtarë të njësisë speciale të shërbimi sekret ushtarak GRU, famëkeqja 29115.

Profesori i njohur i kriminologjisë në Universitetin e Tiranës dhe në atë të Policisë, Ervin Karamuço, thotë se ekziston një mundësi që kjo njësi e GRU të futet në veprim për të liruar tre rusët e arrestuar e veçanërisht “Lanën” – alias Svetlana Timofeeva, që konsiderohet një asset i rëndësishëm.

Karamuço, i cili është një studiues i njohur i përplasjes së intelegjencës së vendeve të NATO-s me ato të Rusisë dhe vendeve të tjera kundërshtare, e konsideron “Lana Sator” si një asset i çmuar i spinazhit rus, dhe në fillim të këtij viti, ajo dhe dy bashkëpunëtorë të saj u përfshin në një incident të ngjashëm në Egjipt. Por me ndërhyrjen e ministrisë së Jashtme ruse, personi i arrestuar i dyshuar për spiun u lirua. Ndërkaq, Karamuço, thekson se vizita me urgjencë e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, në Gramsh, kishte si objekt përforcimin e masave të sigurisë në vendin ku mbahen tre rusët, pasi mund të ketë një përpjekje për t’i liruar nga njësia e GRU.

Reagimi i ambasadës ruse, i pari pas incidentit, kërkon të bëjë me dije se ata nuk dijnë ende se ku mbahen në paraburgim shtetasit rusë. Në deklaratë, ambasada nënvizon se “i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar”.

Ky reagim shumë i koduar i Ambasadës ruse, tregon se gjendja është realisht e komplikuar që fsheh mjaft gjëra e shtron pikëpyetje.

Por vetë përmendja e njësisë famëkeqe 29115, shton të dridhurat, pasi kemi të bëjmë me një “legjendë” bashkohore të historisë horror të spiunazhit rus.

Po kush është njësia special 29115 e GRU-së?

E njohur kryesisht për disa atentate dhe incidente të rrezikshme, ai më i famshmi është aksioni për vrasjen e agjentit rus Serbej Skripal në vitin 2018-n në  Britaninë e Madhe, së bashku me të bijën e tij Yulia. Skripal u helmua me kontakt prekjeje nga një preparat i rrezikshëm që bën pjesë në armët kimike të shkatërrimit në masë. Njësia speciale 29115 , konsiderohet se është ngritur në fshehtësi që nga viti 2008, megjithëse ekzistenca e saj u bë e njohur publikisht vetëm në vitin 2019. Njësia komandohet nga një gjeneralmajor dhe përbëhet nga veteran prej luftërave ruse në Afganistan, Çeçeni dhe Ukrainë.

Rupi që mori pjesë në atentatin ndaj Skripal, u kamuflua si instruktorë i fitness-it.  Njësia e GRU thuhet se ka marrë pjesë në akte sabotazhi dhe destabilizuese në Çeki, Lituani, tentativën për grusht shteti në vitin 2016 në Mal të Zi etj. Studiuesit perëndimorë të veprimeve të njësisë 29155, thonë se ata lënë shumë prova dhe janë të zhurmshëm në veprimet e tyre. Disa aksione u desh të ndërpriteshin pa sukses, si p.sh. tentativa për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016, e cila u organizua përpara se vendi të anëtarësohej në NATO. Në disa raste janë lënë pas mjaft prova për të mundësuar identifikimin e autorëve. Ekspertët e sigurisë kanë ngritur tezën se kjo metodë ishte zgjedhur qëllimisht për të sinjalizuar të gjithë kundërshtarët e regjimit rus se ata nuk ishin askund të sigurt.

A mund të kenë qenë, apo mund të hyjnë edhe në Shqipëri kjo njësi famëkeqe? Në vitin 2016, në tentativën e puçit ndaj Milo Gjukanoviçit, armët kjo njësi i gjeti në Shqipëri, përkatësisht në zonën e Shkodrës, ku dhe u blenë dhe u trafikuan në Podgoricë. Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes Niko peleshi, bëri të ditur dje, se ka gjasa që incidenti i Gramshit, të jetë mbulesë për një ngjarje tjetër edhe më të madhe…

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *