Connect with us

Kronike

Misteri i vra’sjes së Anesti Ramës/ Prokuroria zbardh dinamikën: U gjet i shtrirë në sallon

Prokuroria e Fierit ka zbardhur të gjithë dinamikën e vrasjes së Anesti Ramës, për të cilën janë arrestuar tre persona.

Mes tyre edhe e bija, Emanilda Rama, si autore, Çlirim Dogani si bashkëpunëtor i saj dhe gruaja e viktimës, Valbona Rama, e cila akuzohet se ka fshehur krimin.

Por çfarë ndodhi natën e 23 korrikut?

Prokuroria ka zbuluar se rreth orës 21:16 në Sallën Operative të Fierit u bë një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër.

Ambulanca e Spitalit të Fierit ka shkuar në banesën e Anesti Ramës, të cilin e ka gjetur të shtrirë në sallonin e banesës së tij, të veshur me kostum dhe këmishë.

“Personeli mjekësor konstatoi se shtetasi A.R. kishte humbur jetën dhe ka njoftuar Sallën Operative se “personi për të cilin kërkuan ndihmë mjekësore është i vdekur””, njoftoi prokuroria.

Pas kësaj është ngritur një grup hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes.

Nga këqyrja e jashtme e trupit të të ndjerit, u konstatua se ai kishte çarje në pjesën ballore, çarje mbi vetull, një dërmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera.

E bija e të ndjerit, dhe bashkëshortja e tij i deklaruan grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur. Më pas ata kanë thënë se kishin njoftuar fqinjët se Rama ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia.

“Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes”, njoftoi policia.

Siç edhe dihet, fillimisht është vënë në pranga Emanilda Rama, pas metodave proaktive të hetimit për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim. Më pas u arrestua e ëma për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. I treti i arrestuar është Çlirim Dogani ndaj të cilit rëndon vepra e rëndë e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë se Gjykata e Fierit i ka lënë në burg të tre persona nën hetim.

Advertisement