Connect with us

Bota

Misteri që shokoi botën: Si u mbyt superjahti i miliarderit britanik pak pasi i vdiq partneri në biznes

Lajmi kryesor i medieve ndërkombëtare gjatë këtyre orëve është zhdukja e një miliarderi britanik në brigjet e Siçilisë në Itali.

Ngjarja është e mbuluar me mister.

Miliarderi Mike Lynch, i njohur edhe si ‘Bill Gates britanik’, ishte së bashku me familjen dhe disa miq në superjahtin e tij ‘Bayesian’ kur ai u përmbys gjatë një stuhie të hënën në mëngjes.

Sipas Daily Mail, stuhia ishte e çuditshme, aq sa kapiteni i anijes tha se ata nuk e panë fare se po vinte.

Jo vetëm kaq, por sipas ekspertëve, mbytja e jahtit luksoz ishte diçka e paprecedentë.

Gjashtë persona janë zhdukur nga mbytja e superjahtit, mes tyre miliarderi Mike Lynch, e bija e tij 18-vjeçare dhe Jonathan Bloomer, bosi i një prej bankave më të njohura në bota ‘Morgan Stanley’. Ky i fundit është zhdukur bashkë me të shoqen.

Po ashtu i zhdukur është edhe një avokat i njohur.

Mendohet se ata ishin në jaht për të festuar faktin se Mike Lynch ishte liruar nga akuzat për mashtrim. Pas një viti arresti shtëpiak, Lynch, baba i dy fëmijëve, pretendonte se po jetonte një jetë të dytë.

Por gjithçka u kthye në makth kur jahti u godit nga një fenomen jashtëzakonisht i rrallë natyror në formën e tornados.

Daily Mail shkruan se ekspertët thonë se janë habitur se si u mbyt jahti që duhej t’i rezistonte forcave të tilla natyrore.

Por në një kthesë të jashtëzakonshme të ngjarjeve, mbytja e jahtit erdhi pasi një partner në biznes i miliarderit britanik humbi jetën në mënyrë misterioze.

Stephen Chamberlain u plagos për vdekje nga një makinë teksa po vraponte të shtunën në mëngjes.

Chamberlain, bashkë me Lynch, kishin arritur të fitonin gjyqin kundër tyre për mashtrim.

Policia tha se nuk ka asgjë të dyshimtë për rastin në fjalë.

Ekipet e shpëtimit thonë se operacioni i kërkimit është i komplikuar. Jahti gjendet 50 metra poshtë sipërfaqes së ujit dhe praktikisht çdo gjë duket e padëmtuar.

Por janë pikërisht mobiljet që po pengojnë përpjekjet për të hyrë brenda.

Mendohet se të zhdukurit kanë ngecur brenda kabinave kur nisi stuhia e fortë.

Ndërkohë, 15 persona janë shpëtuar, mes tyre edhe gruaja e miliarderit britanik.

Advertisement