Connect with us

Kosova

Misteri u sqarua/ Profesori amerikan jep detaje për asociacionin

Edward Joseph, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, ka thënë se me propozimin e ri të draft-statutit të Asociacionit, është eliminuar modeli i Republikës Serbe në Kosovë.

“Me atë që kam dëgjuar, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar, modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të kësaj, modeli është një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese” – ka thënë Joseph.

Ai është shprehur se jo detyrimisht duhet të publikohet tani draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nëse qëllimi është që të arrihet një lloj marrëveshje e avancuar përtej asaj që ekziston.

“Nganjëherë dokumentet duhet të mbahen të fshehta, larg publikut teksa janë në negocim e sipër. Pra nuk është se detyrimisht duhet të publikohet. Pyetja është se cili do të jetë pozicioni përfundimtar i SHBA-ve dhe BE-së në veçanti dhe pastaj shteteve kyçe siç janë Franca, Gjermania, Italia, kur bëhet fjalë për Serbinë dhe refuzimin e presidentit Vuçiç për ta nënshkruar marrëveshjen dhe pastaj refuzimi për ta zbatuar atë marrëveshje që ai vet e ka pranuar në Bruksel dhe Ohër” – ka theksuar profesori Joseph.

Ai ka thënë se më 6 tetor i ka parashtruar në Malin e Zi, emisarit Miroslav Lajçak pyetjen se përse nuk e shfrytëzon mundësinë, sidomos pas agresionit mbi Kosovën më 24 shtator në Banjskë.

“Pse të mos përdoret kjo gjë dhe t’i prezantohet Beogradit propozimi merre ose lëre. Këtu Serbia vihet para pozicionit që të pranojë plotësisht se do ta përmbush obligimin e saj ndaj Kosovës, që ka të bëjë me njohjen de-facto, njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra pse të mos shfrytëzohet kjo lloj përparësie kur Beogradi dhe presidenti Vuçiç është në situatë të brishtë. Ai nuk dha përgjigje publike, por pashë se disa elemente të asaj që unë kam vërejtur, në dokumentin e QUINT-it” – ka shtuar Joseph.

Përsa i përket takimeve të Lajçakut me partitë opozitare, profesori amerikan ka thënë se kjo “është gjë e mirë që partitë opozitare të jenë pjesë e procesit dhe është një hap i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”.

Sipas tij tani çështja është nëse ekziston tashmë vullneti politikë në SHBA dhe BE që t’i bëjnë presion palëve dhe ta përfundojnë këtë marrëveshje njëherë e përgjithmonë.

“Më 26 tetor pas takimeve në Bruksel, Kosova është deklaruar se ka kërkuar nënshkrimin e dokumenteve nga Serbia. Unë besoj se kjo është kërkesë e arsyeshme në cilindo kontekst. Tani SHBA dhe BE duhet të insistojnë te Serbia që ta nënshkruajë këtë dokumentet dhe dy dokumentet tjera që janë dakorduara më parë dhe përfundimisht të ndalet kjo lojë. A është marrëveshja që secila palë, Kosova dhe Serbia, duhet ta formalizojnë atë dhe të thonë ‘po kjo është ajo marrëveshje’. Si mund t’i besoj dikush fjalës së Serbisë se do të implementojë një marrëveshje, e cila ka këta elemente të rëndësishme të njohjes brenda – siç është mos kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si mund të besohet kjo kur presidenti Vuçiç nuk e nënshkruan” – ka theksuar profesori amerikan.

Advertisement