Politike
MM: Kapen dy burrat çekë, gratë prisnin jashtë uzinës
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë detaje në lidhje me çekët që u gjetën në Uzinën e Poliçanit. në njoftimin për media bëhet me dije se dy burrat çekë janë kapur brenda tuneleve të Uzinës rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm. Ndërsa gratë i kishin lënë jashtë uzinës, të cilat janë ndaluar rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit
Njoftim per media
Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar. Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke. Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm. Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend.