Rajon
Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, reagon Mitsotakis
Ditën e sotme në parlamentin grek është pranuar mocioni i mosbesimit i kërkuar nga partia Syriza e Alexis Tsipras i cili akuzoi kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis për shkelje të rregullave të shtetit ligjor.
Tsipras në dorëzimin e mocionit të mosbesimit, tha se qëndrimi në pushtet i qeverisë së Mitsotakis, është e rrezikshme për demokracinë dhe sigurinë e vendit. Pasi nocioni u depozitua në kuvend, ka qenë qeveria greke ajo që e pranoi, duke bërë që mbrëmjen e sotme të mbahet debate në parlament.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se mocioni i mosbesimit është i mirëpritur dhe e konsideroi si një mundësi të mirë për të krahasuar qeverisjen e katër viteve të fundit. Ai tha se pavarësisht se që prej kohësh ia kishte kërkuar këtë liderit të SYRIZA-s, Tsipras kishte vendosur ta dorëzonte këtë mocion vetëm pak muaj para zgjedhjeve.
“Mund të flasim për të ardhmen ose mund ta mbysim vendin në toksicitet, ndarje dhe polarizim. Më njoftuan se zoti Tsipras sapo ka paraqitur mocion mosbesimi në Kuvend ndaj qeverisë. Propozimi është i mirëpritur. E vërteta është se unë e sfidova për shumë muaj për ta bërë këtë, ai vendosi ta bëjë tani pak para zgjedhjeve. Një mundësi shumë, shumë e mirë, jo vetëm për të riafirmuar kohezionin e grupit tonë parlamentar, kjo është e sigurt, por mbi të gjitha për të krahasuar atë që ndodhi katër vjet më parë. Nuk po kërkoj konflikt, po kërkoj krahasim. Pra, le të krahasojmë çfarë bëri SYRIZA për katër vjet dhe çfarë bëmë ne. Dhe unë mendoj se ky krahasim do të jetë mjaft katalitik. Do të na jepet mundësia ta bëjmë në Parlament në ditët në vijim. Le të flasin ministrat për punën e tyre dhe sigurisht që do të flasim edhe për çështjet e shtetit ligjor. Sepse edhe atje nuk duhet harruar çfarë ka ndodhur në katër vitet e fundit”- tha Mitsotakis.
Ai shtoi se mocioni i mosbesimit ishte një formë e SYRIZA-s për të shkaktuar trazira në vend dhe konflikt politike sepse nuk kishte propozime të tjera për zhvillimin e Greqisë.
“Pra, ne jemi absolutisht të gatshëm për këtë betejë të madhe parlamentare. Dhe uroj dhe shpresoj që qytetarët të kalojnë këtë re të toksicitetit, të diskursit politik shumë të polarizuar dhe më në fund të kuptojnë se kush janë ata në të vërtetë që mund të flasin me ta për të ardhmen e tyre. Sepse SYRIZA e kërkon këtë konflikt sepse nuk ka propozime për të ardhmen e vendit dhe në të njëjtën kohë nuk mund të flasë për të kaluarën e vendit. Sepse askush nga SYRIZA nuk dëshiron të kujtojë katër vitet e qeverisjes së vet. Kështu që do të kemi rastin të themi më shumë sonte në fjalimin politik që do të mbajmë”-tha kryeministri grek.