Connect with us

Kosova

‘Modeli i dy Gjermanive’ – Çfarë po ‘gatuhet’ në Bruksel

SERBI- Modeli i dy Gjermanive nuk është hequr asnjëherë nga agjenda për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, por në këtë moment është ndoshta më i gjallë se kurrë. Pavarësisht presioneve Serbia mbeti e vendosur në pozitën e mospajtimit me njohje reciproke me çdo kusht, për të cilën Prishtina insiston me këmbëngulje.

Kohët e fundit është rikthyer në vëmendje modeli i dy Gjermanive dhe si temë është padyshim në tavolinën e dikujt dhe pyetja është se sa është e zbatueshme në rastin e Kosovës dhe a mund ta bëjë Serbinë të lumtur, vlerësojnë bashkëbiseduesit e Kurir.

Prapaskenat

Në Prishtinë spekulohet gjerësisht se kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i është bërë presion për këtë zgjidhje, të cilën Gjermania po e shtyn prej vitesh dhe se ish Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, është e angazhuar për të shkruar një marrëveshje të ardhshme, e cila do të përmbajë elemente të modelit të përmendur. Artan Behrami, këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë me pretendime se pas disa muajsh do të arrihet një marrëveshje e re mes Beogradit dhe Prishtinës pa njohje reciproke.

Prej disa muajsh në prapaskenë po përgatitet një propozim për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk përmban njohje reciproke as në fillim, as në mes e as në fund. Mësova nga miqtë e mi ndërkombëtarë se baronesha Catherine Ashton dhe ambasadori Frank Wiesner, në marrëveshje me Miroslav Lajcak, po punojnë për një model të marrëveshjes përfundimtare, e cila ka elemente të marrëveshjes gjermano-gjermane“- pohon Behrami.

Ish-diplomati Zoran Milivojeviç beson se kjo ide është padyshim ende në tavolinë diku dhe se ajo përfaqëson një konfirmim të përfshirjes gjermane në rajon.

“Ideja është që të përdoret ai model për të kapërcyer situatën që tani nuk i përshtatet Perëndimit. E para është se Serbia nuk do ta njohë Kosovën në asnjë kusht dhe e dyta është që disi të kënaqë interesin e Serbisë dhe të mundësojë përparim drejt anëtarësimit në BE. Sepse integrimi evropian është një karotë për të gjithë rajonin. Kthimi në modelin e dy Gjermanive tregon gjithashtu se sa të pasuksesshme kanë qenë të gjitha përpjekjet e mëparshme dhe ky është i vetmi variant që ofron konfirmim të shtetësisë së Kosovës pa njohjen e Serbisë. Mirëpo, nuk ka shanse të kalojë, sepse Serbia nuk do ta njohë Kosovën, nuk do të pajtohet me mundësinë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, dhe kjo është e papranueshme për Serbinë dhe nuk i plotëson interesat e saj shtetërore dhe kombëtare. Nuk është e aplikueshme, por padyshim se diku është në tavolinë” – vlerëson Milivojeviç.

Kryetari i Qendrës për Studimin e Globalizimit, Dejan Miletiç, kujton se gjermanët kanë jetuar në dy Gjermani dhe se në rastin e Kosovës kemi shqiptarë dhe serbë, të cilët po dëbohen.

Është një situatë krejtësisht tjetër. Modeli i dy Gjermanive është një histori e rreme, por ekziston. Gjermanët e kanë shtyrë këtë koncept për më shumë se 10 vjet. Për sa u përket atyre, ai propozim është i gjallë, por për ne është i papranueshëm. Ne nuk mund ta zbatojmë Asociacionin e komunave serbe, dhe tani dikush do të na vendosë në tavolinë modelin e dy Gjermanive? Situata është e tillë që marrëveshjet mohohen në çdo mënyrë, pra nuk zbatohet gjithçka që nuk i shkon për shtat palës shqiptare. Derisa t’u mundësohet një jetë normale serbëve në Kosovë e Metohi, derisa të vendoset modeli i bashkëjetesës dhe tolerancës, të gjitha këto histori të mëdha vetëm helmojnë marrëdhëniet. Procesi është me kokë poshtë”– thekson Miletiç.

Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Willy Brandt kryesoi marrëveshjen si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve kundrejt ish-Republikës Demokrate të Gjermanisë dhe ish-Gjermanisë Perëndimore. Marrëveshja u mundësoi dy shteteve gjermane të normalizojnë marrëdhëniet e tyre pa e njohur njëra tjetrën. Me qëllim njohjen dhe krijimin e një situate tjetër në marrëdhëniet midis tyre, u arrit që me marrëveshjen e 21 dhjetorit Boni të njihte Berlinin Lindor, duke nënshkruar dhjetë kushtet bazë për këtë.

Advertisement