Connect with us

Aktualitet

Modelja Cunmulaj rrëfehet për Ramën: S’kam pasur bukë të ha, shkoja të flija me barkun që më dhimbte

Emina Cunmulaj ka rrëfyer periudhën e vështirë kur u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën për t’u bërë modele në Itali.

Modelja në podcastin e Ramës tregoi se në moshën 15-vjeçares jetonte e vetme në Itali dhe nuk kishte bukë të hante.

Ajo u shpreh se shkonte të flinte pa ngrënë dhe barku i dhimbte nga uria.

“Vetë bukë s’kam pasur të ha kur kam qenë 15 vjeç në Itali e më telefononte babai e më thoshte, “si je, bija ime?’’

-Mirë- i thosha- babë. Gjithçka në rregull. Shkoja të flija, barku më dhimbtë. Shkoja të flija e çohesha natën. M kishin dhënë 200 lira në atë kohë për t’i harxhuar për tre javë ditë, për të marrë metronë, për të ngrënë dhe për shkuar për të kërkuar punë si modele”, rrëfeu Emina Cunmulaj.
Rama: Ky është episodi i 11-të i podkastit “FLASIM” dhe përballë meje është një ndër shqiptaret më të gjata dhe më e gjata që kam takuar prej shumë kohësh, kaq e gjatë saqë tavani i shtëpisë në Tuzin e Malit të Zi, është bërë shpejt shumë i ulët, pastaj tavani i Europës është bërë prapë i ulët dhe ka dalë në gjatësinë e vetë, në anën tjetër të oqeanit, në Florida, ku aktualisht është duke pritur edhe konfirmimin si “Konsulle e nderit e Republikës së Shqipërisë”, Emina Çunmulaj.

Vajza e pasarelave të para dhe fotografive breathtaking sepse po flisnim që mund dhe në momente të caktuara të flasësh anglisht, po fotografive frymëmbajtëse që pastaj kaluan në “Vogue”, në Harper’s Bazaar e të tjerë. Ti ke lindur në…., me “ti” flasim, right?!

Emina Çunmulaj: Po, patjetër.

Kryeministri Edi Rama: Ti ke lindur në USA dhe pastaj je rritur në Mal të Zi. Këtu fillon kurioziteti.

Emina Çunmulaj: Pikë së pari, mirë se ju gjeta! Faleminderit për ftesën! Është kënaqësi. Jam lindur në Amerikë, në Shtetet e Bashkuara, jam rritur në Jugosllavi të asaj kohe, Mali i Zi, në rrethinën e Tuzit, në një fshat të vogël, quhet Nënhelm dhe aty filloi kjo fëmijëria ime, hapat e parë që më kujtohen.

Kryeministri Edi Rama: Po si ndodhi që linde atje dhe erdhe të qash në Tuz?

Emina Çunmulaj: Mami dhe babi ikën si emigrantë dhe ju dorëzua babit letra e deputetit që të kthehej mbrapa dhe vullnetarisht u kthye. Mami ishte shtatzënë, me tri vajza dhe i tha babit, e ndjej veten se e kam djalë dhe nuk dua që t’ia humb të drejtën djalit që ta ketë pasaportën amerikane. Tha, unë po rri me fëmijët, se kishte të drejtë, e lejonin, dhe tha t’i kthehu. Mbas tre muajve lindi vëllai, siç e kishte menduar ajo dhe pastaj u kthye. Unë isha pothuajse gati 5 vjeç dhe jemi rritur në Jugosllavi, deri në moshën 15 vjeçare kur mora guxim t’u them babit dhe mamit se do bëhem modele.

Kryeministri Edi Rama: Nga erdhi ky guximi atje, në atë fshatin e vogël.

Emina Çunmulaj: Shumë gjëra kanë ndikuar. Sidoqoftë unë deri diku jam rritur me këtë mendim në kokë, se si është e mundur që prindërit e mi, na kanë sjellë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na kanë dhënë gjithë atë që mundeshin dhe në fund të fundit na kanë kthyer mbrapa në një vend që është “third world country” në atë kohë, edhe nuk mundesha ta besoja që ardhmëria ime është aq e kufizuar sa është gjithë fshati dhe gjithmonë mendoja se do ngel në “footsteps” të mamit tim. Jo se është një gjë e keqe. Mami im ka qenë një grua e jashtëzakonshme. Një nënë e paparë, por gjithmonë kam dashur diçka më të madhe për veten dhe nuk dija se si do ja arrija sepse të gjitha vajzat e fshatit nuk shkonin më shumë se tetë klasë, pothuajse dhe gjimnazi.

Kjo kulturë, ky mentalitet që vajzat duhet të martohen në moshën 15 vjeçare dhe unë i thoja vetes, do bëj gjithçka në botë vetëm të mos përfundoj ashtu. Që në moshën 10 vjeçare unë i thoja mamit, mi jep mua lopët, unë do i sjell lopët në livadh, s’është problem. Më jep mua punë jashtë shtëpie, do e bëj unë, s’është problem. Vetëm mos mësoj të gatuaj, mos mësoj të laj, të fshij se nuk doja të më martonin në moshën 14-15 vjeçare. Ndërkohë, vinin  njerëzit më kërkonin dorën. Unë qaja, thoja të lutem mos më martoni dhe e kuptoja që është një moment fiks “silver line” në jetë kur erdhi “Elite model look” në Jugosllavi në atë kohë dhe kërkonin modele. Të gjitha shoqet e mia të shkollës më thonin “You have to be a model!’’. Po ku ta merrja guximin t’i them unë babit që në atë kohë ishte një baba i fortë dhe mamit që kishte frymëzimin, mburrjen e një gruaje myslimane që duhet të prezantohet, duhet të jetë e fortë për familjen e vet, pra t’i thoja mamit dua të bëhem modele.

Mirëpo, babi kishte një argjendari në atë kohë dhe një grua që punonte në argjendari, ka pasur një vajzë që do e sillte në kompeticion. Dhe unë i thashë  më ka lënë babi, “dad, sorry”, e gënjeva, por ishte ky momenti që e dija që në qoftë se nuk i marr këto vepra në duart e mia do përfundoj pothuajse si të gjitha vajzat e fshatit. E martuar, me fëmijë në moshën 20 vjeçare dhe ky është “my destiny’’. Dhe e bëra, ika, fitova dhe brenda dy ditëve babi, mami ishin në Amerikë në atë kohë se kishin të drejtë pas 40 viteve t’u jepet ‘’green card’’ edhe u tregova se ka ardhur koha që…., iu kam thënë një gënjeshtër shumë të madhe, por do e dinë gjithsesi se gazetat të nesërmen do të shkruajnë: ‘’Emina Çunmulaj, shqiptarja filloi një karrierë në mes të Jugosllavisë!’’.

Ky ka qenë titulli në përgjithësi. Pastaj u zbut pak situata. Babi tha: Okay, mund të shkosh në Beograd, – se në atë kohë konkursi ishte në Beograd, për të përfaqësuar Malin e Zi në konkursin e Jugosllavisë, – mund të shkosh, por duhet të shkosh me familjarë. S’ka problem i them, vetëm të shkoj dhe kam fituar. Kjo ka qenë një “boom” i madh, kurse për mua kjo ka qenë një “push” aq i madh që i kam thënë vetes, kurrgjë s’ka mundur të vijë ndërmjet meje dhe qëllimit që kam. Dhe kështu nisi karriera. Më dorëzojnë një kontratë worldwide, unë e nënshkrova dhe s’ka pasur kthim më.

Kryeministri Edi Rama: Po ndërkohë je në Florida, në një martesë të lumtur të paktën mesa unë mund të kuptoj sepse kur jemi takuar për herë të parë ka qenë një takim çiftesh edhe “bashkëvuajtësi” jot, duket thellësisht i dashuruar me ty dhe ju dukeni “happily married”, kështu që gjithçka bukur, të paktën në pamjen nga jashtë, nga brenda nuk e di sesa herë ju përplasen mendimet, por megjithatë, edhe pse ai është personazh që ka dhe ai një histori fantastike me familjen, me biznesin, gjithçka është më së miri, ty nuk të rrihet, jo vetëm pa u kthyer, por edhe “pa futur hundët” siç themi ne, deri edhe në zgjedhje. Praktikisht sot, ne kemi mundësinë ta bëjmë këtë bashkëbisedim se ti sapo ke mbaruar një palë zgjedhje në Mal të Zi, ku ke dalë rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi për të kërkuar vota për shqiptarët dhe ke arritur të japësh kontribut në një fitore shumë të bukur me thënë të drejtën, sepse faktikisht është shtuar numri i përfaqësuesve, apo jo, dy deputetë nga një, plus edhe një tjetër, bëjnë tre. Çfarë problemi ke që nuk rri dot rehat, merresh deri edhe me politikë?

Emina Çunmulaj: Po mirë, se s’më le dreqi rehat kanë thënë malësorët. Unë me politikë nuk merrem.

Kryeministri Edi Rama: Jo merresh sepse shkon dhe fut hundët atje. Se njerëzit kujtojnë se të merresh me politikë është vetëm të jesh politikan, është vetëm të jesh deputet, është vetëm të jesh i përzier drejtpërdrejt dhe përditë. Jo, të merresh me politikë është të jesh një qytetar i mirë se nuk e di cili prej presidentëve amerikanë, kam përshtypje Ronald Reagan thoshte: Nuk mjafton një njeri i mirë, për të bërë një qytetar të mirë. Njeriu i mirë është për veten dhe për njerëzit rreth tij, qytetari i mirë është dhe për jashtë pragut të shtëpisë që thotë fjalën apo jep kontributin e tij bashkë me të tjerët”. Kështu që, ti me politikë merresh që ç’ke me atë punë ndërsa si qytetare e angazhuar shkon atje me Nik Gjeloshin dhe ke bërë xheloz gjithë dynjanë duke ndejtur me Nikun, duke bërë fotografi, duke dalë lart e poshtë edhe madje ka dhe zëra…

Emina Çunmulaj: Unë mund të them se jam ambasadore pranë dashurisë që kam për popullin tim. E ndoshta, ky prezantim si ambasadore e dashurisë që kam për vendin tim, kulturën time, traditat shqiptare, ato që kam në gjak mund të shihet si politikë. Por për mua kjo nuk është politikë, kjo është thjesht jeta. Unë jam rritur në atë vend e kur jam rritur vetë në atë vend, as 90% e gjërave që janë sot në Tuz, nuk kanë ekzistuar. Prandaj vetë kam dalë atë ditë, kam dalë edhe para 4 vjetësh dhe do vazhdoj të dal. Jo për politikën, por për atë që është për popullin tim. Ata që e meritojnë, e di se e meritojnë…

Kryeministri Edi Rama: Po politika kjo është, “për popullin tim”.

Emina Çunmulaj: Po kjo është dashuria ndaj popullit tim. Në qoftë se quhet politikë, le të jetë politikë pastaj.

Kryeministri Edi Rama: Në rregull. Shumë mirë. Politikë me dashuri, se politika e mirë është me dashuri. Politika e keqe, është politika me ‘’hajni’’. Po prapë politikë është.

Emina Çunmulaj: Unë për atë që shoh me sy të ballit, luftoj për atë. Unë kur e shoh Tuzin sot, që zhvillohet dhe vazhdon të zhvillohet, do të luftoj për të ardhmen e popullit shqiptar. Aty, në trojet shqiptare të Malit të Zi. Thjesht, asgjë tjetër. Unë Nikën e shoh si dikush që ka ardhur në pushtet dhe ka bërë shumë gjëra që nuk si kanë bërë njerëzit përpara, që e kanë pasur për 30 vite. Unë sot i mbush 38 vjet. Është hera e parë në Mal të Zi që rruga është asfaltuar deri te shtëpia ime si duhet. Gjynah! Turp! Pse se kanë bërë të tjerët? Kanë pasur buxhetin. Janë gjëra të thjeshta. Janë gjëra elementare që të ekzistojë vendi, që t’i kemi dhe ne kushtet si malazezët.

Shkolla fillore që kam qenë, është hera e parë që e kanë rinovuar. Pse s’është bërë kjo para 30 vjetëve? Një ambulancë e kemi 24 orë. Në një prag emergjence, të ndodh diçka me fëmijën në 2 të mëngjesit, të ikësh në Podgoricë? I jap fëmijës diçka për të ngrënë, i mbetet në fyt, çfarë të bëj? Derisa të mbërrij në Podgoricë, çfarë do ndodhë? Të më vdesë fëmija rrugës? Është hera e parë që kemi drita në Tuz si duhet. Të ecësh natën dhe të shohësh dikë, një shesh. Falë jush dhe bashkisë Tiranë, kemi një shesh të bukur në Tuz. Këto janë gjëra që nuk mund të shkojnë pa u parë. “you can’t turn a blind eye to things that you see’’. Thjesht kjo! Kjo tani quhet politikë, në rregull, s’ka problem, por për mua është dashuria drejt popullit tim dhe ata që besoj që e meritojnë.

Kryeministri Edi Rama: Respekt. Shumë respekt nga ana ime për këtë dhe ndërkohë, nuk të mjafton Mali i Zi, merresh dhe me Shqipërinë.  Unë e kam dëgjuar emrin tënd për herë të parë, se me thënë të drejtën nuk të njihja, unë nuk jam ndjekës shumë i këtyre rrjeteve sociale, përveç se në atë pjesën që më detyron puna, por e kam dëgjuar emrin tënd për herë të parë nga Arbër Hajdari, i cili është një djalë fantastik. Edhe ai politikë me dashuri bën, s’merret me politikë, po faktikisht nuk i rrihet pa ndihmuar të tjerët, jeton madje me pasion për të ndihmuar të tjerët, dhe keni bashkuar forcat për të çuar përpara përpjekjen e “Fundjavës Ndryshe”, çfarë do me Shqipërinë? Pse ngatërrohesh me Shqipërinë? Se mirë hajde, në Tuz ke dashurinë edhe s’të lë nevoja për asfalt te rruga e shtëpisë, po këtu çfarë do?

Emina Çunmulaj: Gjaku nuk është ujë! Mos harro! Vetëm se na ndajnë kufijtë, nuk na ndan shpirti. Unë e kam njohur Arbërin prej një mikes sime, ku në atë kohë unë kërkoja një organizatë bamirëse në Shqipëri sepse kam dëgjuar shumë gjëra që ndodhnin në Shqipëri që mendoja që do mund ta ndihmojë popullin shqiptar. Edhe në atë kohë Arbri kishte filluar “Fundjavën Ndryshe”. Ishin duke punuar një gjë fantastike dhe i kam thënë Arbrit, që këtë ditë mua më ke, jo vetëm ambasadore, por ndihmëse. Dua të shkoj me ty drejtpërdrejtë, dua ta ndihmoj familjet, të jem aty, t’i mbaj dorën, t’i them që çdo gjë do jetë OK, ta dinë që do kenë një shtëpi që të jetojnë rehat.

Nëna ime ka qenë dikush që po t’i hyje në shtëpi, nuk të linte të dilje nga shtëpia pa të dhënë bukë për të ngrënë. Edhe po të ishte lyps, edhe po të ishte president, edhe po të ishte pastruese, apo katundar, s’ka pasur lidhje se kush ishte. Kur i hyje në shtëpi, ajo të jepte bukë për të ngrënë.  Dhe ne kur kemi qenë fëmijë në vitet ’90 më kujtohet lufta në Kosovë. Dhe ne jemi fshati më i fundit në anë të Malit të Zi që kapet nga liqeni i Shkodrës. Edhe aty kanë kaluar refugjatët tërë kohës. Ushtria jugosllave na ruante shtëpinë, na vinte dhe sillej rreth e rreth shtëpisë për të parë  a kemi refugjatë në shtëpi se babi kalonte me sule këtej. Nëna ime  rrobat tona ua jepte fëmijëve, i jepte të hanin dhe në mes të natës i kalonin në Shqipëri. Këto janë gjëra që kur je fëmijë ndikojnë tek ty, por ti nuk i di ato gjëra derisa të rritesh një ditë. Mua nëna më ka vdekur tash 10 vite. Ajo pjesë e saj nuk më le të fle rehat, kur e di që njerëzit e tjerë nuk janë rehat. Edhe aq më shumë për popullin tim. Nuk di, është diçka që është shumë më e madhe se vet. S’mund ta shpjegoj.

Kryeministri Edi Rama: Dhe ndërkohë megjithëse bashkëvuajtësi jot ka hotele, resorte nga më luksozet që mund të gjenden në botë, ti e merr atë për krahu dhe pushimet i bën në Mal të Zi dhe pak nëpër ujerat territoriale të Shqipërisë.

 Emina Çunmulaj: Aty ku më lejojnë.

Kryeministri Edi Rama: Po këtu tani, dakord, pjesën emocionale e kam shumë të qartë. Po këtë pjesën tjetër, prapë edhe kjo është me dashuri apo jo?

Emina Çunmulaj: Dëgjo, ndër një emocionet më kryesore të njeriut është dashuria. Për mua, mendoj se gjithçka në jetë niset me dashuri, edhe në qoftë se ka mërziti, dhe nëse ka hidhërim. Në fund të fundit gjithçka mund të rregullohet me dashuri. Kalohet gjithçka në jetë. Unë e dua vendin tim. E dua vendin tim, e dua popullin tim. Unë kam ndërtuar dhe një shtëpi në fshatin ku jam rritur sepse dua që fëmijët e mi të mos harrojnë kurrë në jetë se nga e kanë nënën. Kjo është detyra ime. Vetë i them burrit: ti ke detyrën tënde si babë t’ju tregosh fëmijëve se nga vjen ti. Vetë si nënë e kam detyrën time. Vetë nuk mundem t’i mësoj fëmijëve të flasin gjuhën iraniane, por vetëm mund t’i mësoj gjuhën shqipe. Ashtu siç e flas. T’ia mësoj fëmijëve gjëra që i kam ditur vetë gjatë gjithë jetës time qysh nga fëmijëria. Kur kam ngrënë fasule, ne i themi grosh, kur kam ngrenë mish të thatë, kur kam ngrënë suxhuk. Fëmijët e mi janë rritur kështu. Unë ndryshe nuk di. Kështu që i mësoj ato që di edhe ajo që di është dhe dashuria ndaj vendit tim.

Në bregdetin e Adriatikut, është një ndjenjë që, dhe kur futen në ujë e ndiej vetëm ndryshe. Unë në Ulqin e kaloj sikur të jem në Maldive, ndoshta dikush do qeshë, por unë kam një qetësi, një rehatllëk që i themi ne, që s’mund ta shpjegoj. Dhe tashmë dalëngadalë ia kam futur dhe burrit tim në gjak.

Kryeministri Edi Rama: Po e pashë, e ke kontaminuar krejt.

Emina Çunmulaj: Po çfarë t’i them? Mua më ka dashur ashtu si jam, kështu që tash duhet dhe të dojë gjithë.

Kryeministri Edi Rama: Po në këtë historinë tënde ke ecur dhe je rritur paralel me një rritje shumë të vështirë që ka pasur Shqipëria dhe me siguri në vite, duke qenë mes njerëzish të famshëm, mes njerëzish të pasur, mes njerëzish që i përkasin edhe botës mediatike shumë, ke dëgjuar me siguri keq për Shqipërinë. Çfarë ndieje kur dëgjoje keq për Shqipërinë dhe çfarë bëje?

Emina Çunmulaj: Nuk di a lejohet ta them?

Kryeministri Edi Rama: Thuaje shqip, thuaje!

Emina Çunmulaj: Luftoj unë, luftoj sepse deri diku janë paragjykime shumë të mëdha për popullin shqiptar. Në përgjithësi nuk kam dëgjuar shumë gjëra të këqija për Shqipërinë pikërisht kurse për popullin shqiptar, unë e kujtoj si vajzë 15 vjeçare herën e parë kur ika në Itali, fillimi i karrierës time dhe kur mbërrita në Itali po më thoshin: “sei venuta con canotto”, unë në fillim italishten e flisja, por jo tamam si duhej, por kuptova që kjo është një bazë raciste sepse shqiptarët në atë kohë pas komunizmit dolën me barka. Dhe aty e pashë se bota na sheh në një mënyrë pothuajse jo të keqe, por me një sy tjetër. Dhe sot është koha që i kuptoj. I kuptoj emigrantët që dalin nga shtetet që nuk kanë kushte. I kuptoj të tëra. Por në fund të fundit, sot Shqipëria është në një vend që pak janë qytetet si Tirana. Unë them zhvillimi Tiranës nga vjet, në sivjet është drastik. Fatkeqësisht Mali i Zi, po të shkosh në Podgoricë është shumë më mbrapa se Tirana. Dje kam pasur një bisedë të shkurtër me një shoqe që më tha, më pyeti a e sheh ti veten të ktheheshe në Ballkan? 100%. Por fëmijën ta sjell në shkollë në Mal të Zi nuk e di ende a jam tamam e qetë. Por sikur të më thoshte burri nesër, do kalojmë në Ballkan. Do i thoja ok në Tiranë. It’s a cosmopolitan city.

Kështu që, sot ka ardhur koha me artistët shqiptarë, me njerëzit që kanë një shtytje shumë të madhe të marketingut, se ti e sheh në rrjetet sociale artistë janë ata që duan t’i marrin gjithë të rinjtë mbrapa. E kanë parë shqiptarët, me Rita Orën, Dua Lipa, që shqiptarët nuk janë ajo që na kanë paragjykuar përpara. Në fakt, jemi njerëz që jemi me shkollë, me kapacitet punëtore, me artistë, me të gjitha. Kështu që dalëngadalë po na hiqet pluhuri, që për vite na e kanë vënë përmbi krye. Por është diçka që vetëm rinia do e vazhdojë dhe do e pastrojë dalëngadalë.

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që jemi në një tjetër pozitë sot komplet. Nuk ka më për shembull sot në Itali paragjykime për shqiptarët, përkundrazi sot ka respekt sepse janë imponuar.  Po edhe në Greqi mund të ketë raste por ka respekt se janë imponuar. Madje nuk i sheh më njeri si një popull tjetër, por i shohin si pjesë e vetes. Po edhe në Gjermani përkundrazi, kështu që në këtë aspekt është bërë një kapërcim i madh. Nga ana tjetër, Shqipëria vetë, duke ndryshuar në mënyrë drastike siç e the po bëhet destinacion turistik i hatashëm dhe këtë vit, imagjino kur ne kemi filluar politikën me dashuri nga ana jonë, aeroporti i Rinasit kishte 300 mijë pasagjerë. Sivjet ne parashikojmë 6.5 milionë, ata të aeroportit thonë 7 milionë. Dhe praktikisht Tirana sot është e mbushur me turistë të huaj nga të gjitha anët, restorantet, kafet edhe jugu kështu që është një situatë tjetër. Megjithatë jam shumë dakord që ka shumë e shumë për të bërë, por mendoj që ti je njeriu i duhur sepse je edhe nga brenda gjithë suksesit në botën e modës, në botën e së bukurës, në rritje sociale edhe nga jashtë për shkak të personit që je dhe të njeriut që nuk i mjafton jeta me të sipërfaqshmen, po e quajmë por jeton shumë me brendinë. Çfarë do t’i thoshe vajzave të bukura, të vogla që sot natyrshëm janë të dhëna, janë të tërhequra shumë nga bota e rrjeteve sociale, nga bota e shfaqjes së bukurisë etj.

Emina Çunmulaj: Është një gjë e vështirë ta them, ta them në dy-tri fjali se unë i shoh vajzat e mia edhe mendoj se si do të jetë e ardhmja nga ndikimi i rrjeteve sociale dhe ajo që nuk është reale sepse ndoshta njerëzit mendojnë që e njohin Eminën Çunmulaj, por e njohin vetëm në atë përqindjen që tregoj në rrjetet sociale dhe ajo nuk është e tëra.

Nuk është e vërteta. This is the truth. Ju e shihni aq sa dorëzoj unë të shihni. Ashtu janë edhe të gjithë njerëzit e tjerë në rrjetet sociale. Kështu qe një vajzë 14, 15, 18-vjeçare që sheh Emina Çunmulaj dhe sheh Eminën në aeroplan privat, një jaht, një jetë luksoze, po t’i ketë ajo 5 minutat e kohës, të vijë e të rrijë me mua dhe t’ia tregojë jetën si e kam pasur unë, se si kam kaluar prej thuajse moshës 13-vjeçare deri në moshën 18-vjeçare kur i fitova 10 mijë eurot e parë.

Unë s’kam pasur bukë të ha kur kam qenë në Itali, në apartament me modele. Kjo është diçka që ndoshta s’ia kam treguar dikujt në jetë sepse janë vështirësitë e mia dhe të rrinë me mua. Ma bëjnë karakterin që ndoshta ti po thua, si jeton duke luftuar se jeta ime është gjithmonë në kokën time një luftë.

Edhe vazhdon në mënyra të tjera, por se lufto për ato që mendon dhe për të cilin je në jetën tënde, ajo që të vjen kollaj në jetë, edhe të hiqet kollaj.

Vetë bukë s’kam pasur të ha kur kam qenë  15 vjeç në Itali e më telefononte babai e më thoshte, “si je, bija ime?’’

-Mirë- i thosha- babë. Gjithçka në rregull.

Shkoja të flija, barku më dhimbtë. Shkoja të flija e çohesha natën. M kishin dhënë 200 lira në atë kohë për t’i harxhuar për tre javë ditë, për të marrë metronë, për të ngrënë dhe për shkuar për të kërkuar punë si modele.

Por ka ardhur koha që të gjithë ato “luftëra”, everything pays back. Vetëm përkushtim, përkushtim, përkushtim, lufto. Mendimi im për t’u kthyer në fshat më mbyste. Të kthehesha vetë prapa nga një vend që ika, që doja një jetë më të mirë për veten, nuk me lejonte kurrsesi të  dorëzohesha, pastaj vajti puna edhe pak “luck” si i thonë amerikanët edhe jeta vazhdon edhe të gjitha të mirat dalëngadalë vijnë dhe sot jemi ku jemi.

Kryeministri Edi Rama: E ardhmja. Si e sheh të ardhmen? Se ok, tani ke fituar këto luftërat e deritanishme, por duke qenë se ti nuk jeton dot pa ‘’luftë’’, për çfarë do  ‘’luftosh’’? Ça është next apo thjesht menaxhim i arritjeve të deritanishme?

Emina Çunmulaj: Po me menaxhim do të vazhdojmë gjithsesi. Fokusi im është familja, fëmija, se unë kam 3 fëmijë të vegjël; 7, 5 dhe 2 vjeç. Kështu që të gjitha këto i bëj përballë asaj se kryesorja është se jam nënë një herë, pikësëpari.

E pastaj të gjitha të tjerat në vend të vet. Patjetër, bamirësia është diçka që do të vazhdojë, është diçka që nuk do ndalem kurrë.

Tani jam edhe në një bord spitali, një ndër spitalet më të mëdha ne Miami, “Baptist Hospital’’. Aty jam si përfaqësuese e bordit kryesor, kështu që edhe ajo është një gjë e madhe për mua sepse dedikimi është shumë i lartë.

Tani kam edhe një rol, tip ambasadori i konsullatës dhe do të merrem në një nivel shumë të lartë me këtë, por edhe shumë gjëra të tjera që ndoshta do të mbahen sekret derisa të realizohen.

Kryeministri Edi Rama: Jo, ne jemi vërtetë shumë të bekuar, po themi, që kemi një Konsulle nderi në Florida që na përfaqëson, e para me gjatësinë një herë se këtë pjesën e gjatësisë e kam ..

Unë e kam pasur problem këtu dhe këtu hera-herës më kujtohet si problem, kur jam jashtë, aq më pëlqen kjo pjesa e gjatësisë sepse “ja, ai shqiptari edhe ..’’, kështu që të kemi një konsulle nderi 180 e kusur cm që iu del përpara dhe u thotë ‘’ëelcome to Albania”, është super.

Por përtej kësaj, është e vërtetë që kemi shumë akoma për të bërë dhe për pjesën e shkëmbimeve dhe e përfshirjes në marrëdhëniet e shqiptarëve dhe marrëdhënies të shqiptarëve me botën në sensin e eksperiencave e praktikave të mira, e dijeve të mëdha që shqiptarët kanë marrë, sepse shqiptarët janë të jashtëzakonshëm kur janë jashtë, për një arsye shumë të thjeshtë; se kur shkojnë jashtë, nuk ka “nëna”, nuk ka “baba” , nuk ka ‘’krushqia’’, nuk ka ‘’partia’’, nuk ka asgjë tjetër përveç teje dhe detit që do ta kalosh në këmbë ose do të mbytesh. Edhe janë të jashtëzakonshëm. Kur pastaj bëhen bashkë, janë një çikë më të ngatërruar sepse shkojnë te kafja dhe flasin për punën dhe shkojnë në punë e flasin për kafen. Kështu që kemi goxha gjëra për të bërë.

Para se të fillonim këtë, kur u zgjova sot kisha një mesazh nga burri yt. Edhe i thashë, me shumë gjasë do ta mbajmë gruan peng, që ti do të detyrohesh të vish dhe të vish ta marrësh dhe me këtë rast do ta mbash fjalën për vizitën në Shqipëri dhe për të parë se çfarë mund të marrim prej tij në aspektin e gjithë asaj eksperience dhe një pjesë të vogël të pasurisë së tij për ta investuar në turizmin shqiptar që është bërë kaq trendy, por që ka nevojë për vërtetë kualitet.

Sa më shumë kualitet që të mos biem pre e asaj masives që sjell të ardhura për momentin, por pastaj na prish shumë punë për të ardhmen, por të kemi sa më shumë kualitet, kështu që mos u çudit nëse kur të mbarojë podcasti, unë do të iki dhe ty do të të mbajnë këtu mbyllur deri sa të vijë burri të të marrë.

Jam shumë falënderues për këto minuta që pata mirësinë që t’i kalojmë bashkë. Jam i bindur që edhe ata që do të na ndjekin, do të jenë falënderues sepse është një vlerë e madhe që në botën e politikës, medias, shoëbizness, spektaklit etj, të jetë mundësia për t’u njohur me njerëz që janë ‘’real’’, që janë me mish e me gjak, e me kocka dhe që nuk  janë plastikë.

Emina Çunmulaj: Faleminderit juve.

Kryeministri Edi Rama: Kjo ishte konsullja e nderit e republikës së Shqipërisë në Florida. Kjo ishte shqiptarja kokëfortë prej katundit që ka ngjitur shkallët dhe ka bërë yllin e vet të shkëlqejë në majat e modës, dhe kjo ishte nëna shqiptare që nuk dorëzohet kurrë.

Aktualitet

Investigimi/ Skema e “mashtrimit” me kreditë çon guvernatorin Sejko në SPAK

Prokuroria e Tiranës vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.

Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh. Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.

Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.

Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.

Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.

Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.

Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.

Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,”  thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.

E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.

“Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.

Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi’ nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor’, sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor’ nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale’ sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA.

Biznesi i kredive të këqija

Foto: Një sasi parash në cash

Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.

Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.

Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.

Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.

Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe  rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.

Dyshimet për rolin e guvernatorit

Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

“Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se  infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

Rrjeti i mikrokredive

Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

Miliona euro në llogaritë e Ibros

Prokuroria e Tiranës dyshon se pronarja e shoqërisë MCA është larguar jashtë Shqipërisë, por një pjesë e fitimeve të saj ndodhen në Shqipëri. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Elda Ibro zotëronte likujditete banke në vlerën e 1.1 milionë eurove dhe 224 milionë lekëve [2.2 miilion euro] në një bankë të nivelit të dytë. Në një bankë tjetër të nivelit të dytë, ajo zotëronte llogari me vlerë 60 milionë lekë, të cilat ia kishte kaluar pronarit të kompanive përmbarimore të angazhuar në mbledhjen e kredive të këqija.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, vlera të tilla janë shumë herë më të mëdha sesa dividenti prej 141.6 milionë lekësh [1.4 milion euro] që kjo shoqëri kishte shpërndarë si fitim. Nisur nga këto mospërputhje, hetuesit e Tiranës thonë se i kanë kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të kryejnë një kontroll të thelluar për shoqërinë MCA – në mënyrë që të kenë mundësi që të bëjnë një analizë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të saj.

Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

“Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

„..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t’i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai

Continue Reading

Aktualitet

Qeveria ndan buxhetin për bashkësitë fetare, më shumë përfiton Komuniteti Mysliman

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për financimin e bashkësive fetare në vend që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

Në buxhetin e vitit 2024 janë përcaktuar 113 milionë lekë të reja për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, prej të cilave Komuniteti Mysliman përfiton më shumë; 33 840 000 lekë, ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike dhe Kryegjyshata botërore përfitojnë në mënyrë të barabartë nga 26 400 000 lekë.

V E N D I M

PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2024 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2024, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:

i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:

i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;

ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;

ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;

iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2024, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj, të vitit 2024.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Continue Reading

Aktualitet

‘Nuk është gazetar, por prokuror’/ Bregu: Dumani të publikojë emrat e policëve të inkriminuar

Gazetari Sokol Bregu tha se kreu i SPAK Altin Dumani duhet të dalë me emra në lidhje me eksponentët e inkriminuar në Policinë e Shtetit. Sipas Bregut, vetingu në Policinë e Shtetit duhej bërë në një mënyrë ndryshe.

“Akuzën duhet ta vërtetojë me prova z.Dumani. Nëse z.Dumani njeh persona të inkriminuar në Policinë e Shtetit dhe i lë në detyrë, kjo do ishte e pafalshme për rendin dhe sigurinë publike. Nëse i referohet rasteve që mund t’i ketë në hetim, apo të disa personave të arrestuar që kanë qenë ‘uniforma blu’, ka pasur disa arreste në polici, por s’mund të kemi përgjithësim. Sepse unë njoh një numër të lartë oficerësh policie, që drejtojnë sektorin e tyre, që janë njerëz me reputacion më të madh, jo vetëm brenda Policisë së Shtetit, por edhe në shoqërinë shqiptare. Vetingu ishte një proces që s’shkoi deri në fund. Ishte i ndërtuar keq. Duhej bërë ndryshe, a ka ndonjë akuzë mbi këta dhe hetimet. Ç’është ky proces Vetingu që ke 2 apo 3 milionë lekë të pajustifikuara. Inkriminimi është shqetësues, a është rritur jashtëzakonisht. Z.Dumani duhet të jetë i hapur me publikimin e emrave, është prokuror, jo gazetar investigativ. Z. Dumani duhet të ishte më i qartë në deklaratat e tij.– tha Sokol Bregu.

Sakaq gazetari foli edhe mbi konfliktin e bashkëshortit të ministres Ibrahimaj, duke theksuar se konflikti është i zgjeruar, duke i tejkaluar përmasat e një konflikti brenda punës.

“Është fshehje apo ndikim, janë dy gjëra shumë të ndryshme. Mua s’më shqetëson fakti a i ishte apo jo në komunikatën e përditshme, por si u ndoq hetimi. Ka një problem, i godituri a ka bërë kallëzim, apo edhe ai do të tërhiqet. Në dijeninë time është raportuar si e tillë dhe të dyja palët duan të pajtohen. Ka diçka më tepër në atë situatë. I tejkalon përmasat e një konflikti brenda punës. Është një konflikt më i zgjeruar, dhe prandaj edhe i dëmtuari s’ka dashur të jetë vëmendje. Fakti që ka qenë burri i ministres mund të ketë pasur ndonjë mënyrë ndikuese për të mos ta bërë publike. Por çdo gjë lidhet me hetimin, a po bëhet hetim mbi çështjen. Dosja është në prokurori, a po heton Prokurori apo jo, kjo është… A mund ta mbyllë çështjen me një pajtim mes palëve, mund ta mbyllë. Fakti që njëri është larguar jashtë Shqipërisë, edhe ai ka një problematikë në mendjen e tij, se mos kthehet dhe ndalohet” – tha Sokol Bregu.

Continue Reading

Aktualitet

Dërgimi i trupave në Ukrainë/ Shpërthen Macron: Nëse Rusia shkon më larg do detyrohemi…

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e përsëriti të enjten se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, duke shtuar se kjo çështje do të bëhej “legjitime”, nëse Rusia depërton përtej vijave ukrainase të frontit dhe nëse Kievi e bën një kërkesë të tillë.

Ai i bëri këto deklarata në një intervistë për Economist, që u publikua më 2 maj.

Ekonomist tha se Macron e dha këtë intervistë, pasi e mbajti një fjalim javën e kaluar, kur deklaroi se Evropa është “e vdekshme” dhe “mund të vdesë”, pjesërisht për shkak të kërcënimit që paraqet agresioni rus, pasi Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

“Nuk e hedh poshtë asnjë mundësi, sepse ne po përballemi me dikë i cili nuk e hedh poshtë asnjë mundësi”, tha Macron kur u pyet nëse ende u qëndron komenteve që i bëri në fillim të këtij viti, kur tha se nuk e përjashton mundësinë që Perëndimi të dërgojë trupa në Ukrainë.

Disa analistë besojnë se Rusia mund të jetë buzë fillimit të një ofensive të re shumë të madhe në Ukrainë.

Macroni tha se “nëse Rusia vendos të shkojë më larg, ne do të detyrohemi, në çdo rast, t’ia bëjmë vetes këtë pyetje” për dërgimin e trupave në Ukrainë. Ai e përshkroi një lëvizje të tillë si “paralajmërim strategjik për homologët e mi”.

Ai e përshkroi Rusinë si një “fuqi e destabilizimit rajonal” dhe si “kërcënim për sigurinë e evropianëve”.

“E kam një synim të qartë strategjik: Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë”, theksoi Macron.

“Nuk do të ketë siguri në Evropë, nëse Rusia fiton në Ukrainë. Kush mund të pretendojë se Rusia do të ndalet aty? Çfarë sigurie do të ketë për vendet e tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerët?” pyeti ai./ REL

Continue Reading

Aktualitet

U përplas teksa po kalonte rrugën, 70-vjeçarja shqiptare në Itali ndërron jetë pas dy ditësh në spital

Një 70-vjeçare shqiptare e cila ishte përplasur nga makina para dy ditësh në qendër të Kremones ka ndërruar jetë në spital.

Gjendja e saj, e cila menjëherë pas aksidentit nuk dukej kritike për jetën, u përkeqësua për shkak të një hemorragjie në tru. Ndonëse iu nënshtrua një operacioni, ajo nuk mundi të mbijetonte.

Viktima po kalonte Corso Cavour rreth orës 10 të mëngjesit, kur ajo u godit nga makina. Sipas policisë e moshuara shqiptare u përplas në një vendkalim për këmbësorë.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING