Kosova
Molla e Kuqe është afër për shqiptarët/ Çfarë po parashikon Enver Bytyçi
“Krijimi i Asociacionit, qoftë dhe me kushtet e një organizate jo qeveritare, është po aq i rrezikshëm, sa përpjekjet e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës për ta ndarë territorin e Kosovës. Këto kohë është shtuar presioni i ndërkombëtarëve që Kosova ta formojë me çdo kusht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky presion vjen, si shumë herë të tjera në vitet e fundit, nga aleatët strategjikë të Kosovës: SHBA-të dhe Bashkimi Europian dhe duket si një tentativë e qëllimshme” keshtu eshte shprehur profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili thekson se ky presion po pason atë për hapjen e Urës së Ibrit. Sipas tij, pas tërheqjes së Albin Kurtit nga vendimi për hapjen e urës, presioni po zhvendoset drejt krijimit të Asociacionit.
Megjithatë, profesori shtoi se presioni mbetet vetëm presion dhe nuk është fundi i botës.
“Nëse edhe aleatët më të ngushtë bëjnë presion për një akt antikombëtar dhe antishtetëror, nuk është hata e madhe t’u thuhet një ‘JO’ e madhe. Krijimi i Asociacionit, qoftë edhe si një organizatë joqeveritare, është po aq i rrezikshëm sa përpjekjet e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës për ndarjen e territorit të Kosovës. Automatikisht kjo do të nënkuptonte ndarjen e Kosovës. Pse do të ndodhte ndarja pas Asociacionit, pavarësisht formës së tij?”, pyet Bytyçi.
“Së pari, serbët do të kenë një elitë legjitime, përmes së cilës do të shpallnin fillimisht autonominë e më pas shkëputjen. Së dyti, Serbia do të mbështesë serbët e veriut që të shkëputen nga sovraniteti i Kosovës, duke përdorur si argument Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të saj. Së treti, Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje të njohjes de facto të territorit. Vuçiq jo rastësisht e kushtëzon zbatimin e saj me krijimin e Asociacionit. Jo rastësisht nuk e firmos dhe as nuk e ratifikon atë. Qëllimi është që, pasi të krijohet Asociacioni, të mund të përgatitet terreni për aneksimin e veriut të Kosovës,” theksoi Bytyci duke shtuar se aleatët perëndimorë po bëjnë përpjekje për të transferuar pasuritë e Kosovës te Serbia.
“Prandaj, liderët kryesorë të Kosovës duhet të jenë të bashkuar dhe të dërgojnë mesazhe të qarta në Uashington dhe Bruksel, se nuk do të pranojnë asnjë Asociacion pa njohjen e plotë juridike të Kosovës nga Serbia dhe pranimin e saj në OKB. Nëse këta liderë përçahen, gjithçka merr fund. Krijimi i Asociacionit do të thotë zhbërje e shtetit të Kosovës. Asnjë kompromis nuk duhet pranuar. Nëse aleatët këmbëngulin, qeveria e Kosovës duhet të hapë Urën e Ibrit si kundërpërgjigje,” potencoi profesori.