Aktualitet
Momenti i vrasjes së gjyqtarit/ Avokatja: Çdo qytetar mund të humbasë besimin te institucionet shtetërore
Avokatja Brunilda Lika ka rrëfyer tmerrin e ditës së djeshme ku gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u ekzekutua brenda ambjenteve të gjykatës së Apelit. Gjatë një deklarate për mediat, Lika ka treguar momentin se si ajo dhe kolegët e saj u mbodhën në një nga dhomat e gjykatës në mënyrë që të ishin më të sigurt.
Lika tha se siguria në Gjykatën e Apelit është zero dhe se shteti i së drejtës dëshmoi përmes kësaj ngjarje se nuk funksionon. Sipas avokates, i vetmi ambjent që mund të jetë i sigurt është SPAK dhe Gjykata e Lartë.
“Pashë trembjen që ndodhi në gjykatë, ne u grumbulluam në një hapësirë në hollin ku ne avokatët presim për të hyrë në salla, nuk pashë asgjë, gjendja ishte tronditëse, kur u krijua paniku u mblodhëm në një ambient për të qenë të sigurt, dëshmon që shteti i së drejtës nuk funksionon, akt i paprecedentë, çdo qytetar mund të humbasë besimin te institucionet shtetërore. Nuk duhej të priste ku akt makabër ndaj një gjyqtari, siguria në ambiente të tilla është pothuajse zero, në Gjykatën e Apelit siguria është zero, edhe në gjykata e rretheve, e vetmja godinë që ka siguri mund të jetë SPAK e GJL, deri diku edhe gjykata e lartë. Patjetër që jam ndjerë e pasigurt. Ky është realiteti”, tha avokatja