Aktualitet
Morën para për të mos hequr tendat e një lokali, SPAK arreston 2 punonjës të IMT Tiranë, në kërkim edhe 2 të tjerë

Katër urdhër-arreste janë lëshuar nga GJKKO me kërkesë të SPAK për punonjësit e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë, për akuzën e korrupsionit.
Pas lëshimit të urdhër-arresteve, policia nisi ekzekutimin e tyre, duke bërë të mundur arrestimin e dy punonjësve të IMT Tiranë dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, gjithashtu punonjës të këtij institucioni.
Të arrestuarit janë Gerald Fuçia dhe Edmond Çela. Ata ndodheshin së bashku në një lokal të njohur në zonën e Kombinatit në kryeqytet në momentin kur u arrestuan. Ndërsa në kërkim janë Klajdi Zhilla dhe Niko Zmalaj.
Këta persona dyshohet se kanë marrë para nga një subjekt për të mos hequr tendat dhe strukturat metalike të lokalit. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për një shumë rreth 1 mijë euro.
Ndërkohë, mësohet se 2 persona të tjerë, menaxheri dhe kamarieri i lokalit, do të hetohen në gjendje të lirë pasi tentuan të fshihnin paratë.
Kujtojmë se gjatë javëve të fundit, në të gjithë vendin ka nisur një aksion me porosi të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike, duke hequr tendat e lokaleve që ishin vendosur pa leje.
Operacioni i SPAK dhe Policisë u zhvillua pas një denoncimi të mbërritur më herët në polici, ku raportohej se punonjësit e IMT-së kërkonin dhe merrnin para nga biznese të ndryshme, në këmbim të mosveprimit ndaj shkeljeve.
Gjithsesi, aksioni është në zhvillim për shkak të dy personave që janë ende në kërkim

