Connect with us

Aktualitet

Morën ryshfet në këmbim për të mbuluar një aktivitet pa leje, SPAK jep masat e sigurisë për dy inspektorët e ISHTI

Dy inspektorë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) janë vendosur në masë sigurie nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ata akuzohen për korrupsion të kryer në bashkëpunim dhe marrje ryshfeti për të mbuluar një aktivitet tregtar pa leje në Korçë.

Më 23 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka miratuar kërkesën e SPAK për caktimin e masave të sigurimit personal për dy shtetas:

“Arrest në burg” për shtetasin O.J., inspektor në ISHTI, në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale;

“Arrest në shtëpi” për shtetasin L.S., ish-inspektor në të njëjtin institucion, në bazë të nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale.

Ekzekutimi i masave u krye më 27 shtator 2025, me mbështetjen e Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Procedimi penal u regjistrua më 5 mars 2025 nga SPAK, pas referimit nga Prokuroria e Korçës. Të dy zyrtarët po hetohen për veprat penale të “Korrupsionit aktiv” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim – vepra të parashikuara nga nenet 244/2, 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të mbështetura në metoda speciale dhe prova të dokumentuara:

Më 1 nëntor 2021, shtetasit O.J. dhe L.S. kanë marrë ryshfet në vlerën 900,000 lekë dhe 10,000 dollarë amerikanë, nga një subjekt privat me inicialet J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar në qytetin e Korçës pa dokumentacion ligjor dhe licensë teknike.

Në këmbim të shumës së përfituar, dy inspektorët nuk morën masa administrative ndaj subjektit, duke e lejuar të vijonte aktivitetin në kundërshtim me ligjin.

Organet e drejtësisë theksojnë se hetimet janë në vijim dhe se janë përdorur mjete ligjore dhe teknike për dokumentimin e rasteve të abuzimit me detyrën. Prokuroria e Posaçme deklaron vendosmërinë për të ndëshkuar rastet e korrupsionit në institucionet shtetërore.

Advertisement