Shkrime
Mori fund, s’ka asociacion…Mbaroi
Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, mendon se Kosova dhe Serbia do ta kenë të vështirë të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel, për shkak të situatës aktuale në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Sipas tij Bashkimi Evropian bëri gabim që arriti një marrëveshje mes dy shteteve në fillim të këtij viti pasi shumica e serbëve të Kosovës në veri u dorëhoqën nga institucionet nga nëntori i vitit të kaluar dhe ende nuk ka plan për rikthimin e tyre.
Kosova dhe Serbia, aktualisht, janë duke diskutuar për çështjen e themelimit të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Më 2 maj, Qeveria e Kosovës refuzoi një draft-statut që iu prezantua për këtë asociacion, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi një “draft-vizion” të tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Vizioni, siç thotë Kurti, bazohet në një model kroat për pakicat kombëtare dhe siç tha më 11 maj, ai është i interesuar që të bashkëpunojë “për ta shkruar e definuar edhe më tutje këtë vizion për komunitetin serb në Kosovë”.
Duke e komentuar këtë propozim të Kurtit, Weber thotë se problemi nuk qëndron te një model apo tjetri, por tek i gjithë koncepti i një bashkimi një-etnik me rrezik që të keqpërdoret nga Serbia.
Sipas Weberit, arsyeja pse Asociacioni si i tillë mund të shkaktojë problem është për faktin se serbët e Kosovës drejtohen nga një Lista Serbe, e cila ka lidhje të njohura me Beogradin.
Ai thotë se demokratizimi i politikës së këtij komuniteti duhet të bëhet me intervenimin e Perëndimit.
I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak, vizitoi Kosovën dhe gjatë vizitës bisedoi edhe me qytetarë e përfaqësues politikë të serbëve në veri si dhe u takua edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut.
“Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi ai në një postim në Twitter.
Pas takimit, Lista Serbe njoftoi se me Lajçakun biseduan për situatën politike dhe të sigurisë dhe se vlerësojnë që Prishtina “çështjet e hapura i zgjidh me lëvizje të njëanshme dhe dhunë institucionale”.
Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë. Serbia ka këmbëngulur në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Kosova ka thënë se rrezikon funksionalitetin e shtetit.