Connect with us

Politike

‘Mos gëzoni kot se…’/ Evi Kokalari nuk humbet kohë, sulmon Berishën

Aktivistja shqiptare, Evi Kokalari ka reaguar pas lirimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, Kokalari ka hedhur poshtë pretendimet e demokratëve se ndryshimi i masës së sigurisë për ish-kryeministrin ka ardhur me indicje të administratës së presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Sipas aktivistes lirimi i Berishës ka ardhur me urdhër të kryeministrit Edi Rama me qëllim për të legjitimuar zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Miq dhe militante! Berisha ta gezojë lirinë se dhe në atë moshë, nuk ka kuptim por Amerika dhe administrata e Trumpit s’kanë asnjë lidhje me vendimin e gjykatës së Ramës.

Berisha po lirohet që të legjitimojë pikërisht fitoren e këtij të fundit në 2025, megjithëse planet ju janë bërë pak lëmsh tashti që Grenell nuk u bë sekretar Shteti”, shkruan Kokalari.

Teksa më tej thekson se vendimi i marrë nga Gjykata e Posaçme këtë të mërkurë nuk ka asnjë lidhje me sanksionin e vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Sali Berishës.

Në postimin e saj Kokalari ka përmendur edhe njëherë akuzat e bëra sa i përket ndërtimit të kullës së “Mali i Tiranës”, ku më herët është shprehur se ky projekt është kaq i madh sa në këmbim kanë shitur edhe zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar. Madje në denoncimet e saj Kokalari ka thënë se në tavolinë kanë qenë pjesë edhe këto të 2025-ës.

“Gjithashtu, ky vendim sot nuk ka asnjë lidhje me non-gratën. Personalisht, më intereson vetëm investigimi i kullës së malit. Për atë më bën mua kurban dhe atë çorbë do ta hanë me lugë dhe me pirunjë!”, tha ndër të tjera Kokalari në postimin e saj të bërë këtë të mërkurë (28 nëntor).

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës për rrëzimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” ndaj ish-kryeministrit. Ky vendim është marrë gati 11 muaj pasi lideri i demokratëve u vendos në izolim në apartamentin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”.

Advertisement