Kosova
‘Mos ia kini besën Vuçiçit, s’do të heqë dorë nga minimi i Kosovës’
Filip Milaçiç, profesor në Universitetin e Evropës Qendrore në Austri, duke qenë se Serbia aktualisht ndodhet në mes të një kryqëzimi kritik ndërmjet demokracisë liberale dhe autoritarizmit populist, u shpreh skeptik nëse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do t’i normalizojë ndonjëherë marrëdhëniet me shtetet fqinje në rajon, posaçërisht me Kosovën.
Në një artikull të fundit, profesori malazez shkroi se presidenti serb e ka shndërruar në mjet politik dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që i shërben atij kryesisht për ta mbajtur pushtetin, teksa nuk do që të heqë dorë nga e ashtuquajtura çështje e Kosovës, ndërsa ekzistojnë indikacione se ai do të ruajë “stabilokracinë” në Serbi për një kohë të gjatë.
“S’ka asnjë arsye për të besuar se Vuçiçi do të heqë dorë nga mjeti më i mirë politik që i shkon atij, duke zgjidhur çështjen e Kosovës. Ajo i shërben atij si një pretekst për përmbysjen e demokracisë – për mohimin e të drejtave kushtetuese dhe personalizimin e pushtetit në mënyrë që ai të mund të ‘shpëtojë kombin’, duke përçmuar kritikët demokratë të regjimit si tradhtarë”, – ka shkruar Milaçiç.
Ai përmendi edhe mënyrën se si Vuçiçi vendosi të njohë targat e Kosovës, që sipas studiuesit malazez, vetëm kishte për qëllim të qetësonte kritikat e bashkësisë së organizuar perëndimore për manipulimin zgjedhor – një shembull ky që tregon se si presidenti serb manipulon çështjen e Kosovës për përfitime politike, madje herë-herë duke nxitur edhe tensione.
“Vuçiç nuk është i vetmi lider ballkanik me mendësi autoritare. Nëse ai arrin të autokratizojë më tej Serbinë, kjo do prekte të gjithë Ballkanin Perëndimor, një rajon me demokraci të brishta. Autokratë të tjerë aspirantë në rajon i kushtojnë vëmendje të madhe tani lëvizjeve të presidentit serb” – theksoi Milaçiç mes tjerash.
Ndërkohë perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal, duke u përmbajtur nga minimi i shteteve fqinje. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.