Connect with us

Kosova

Mos prisni kot/ Borell dhe Lajçak nuk do kërkojnë heqjen e masave ndaj Kosovës

Shërbimi i Punëve të Jashtme të BE-së dhe Komisioni Evropian duket se kanë pritur një mundësi të artë  për të sanksionuar Kosovën. Ata u inkurajuan veçanërisht kur edhe SHBA vendosi të merrte masa.

Tani sado që i “mirëpresin” hapat që po ndërmerr Kosova, është naive të pritet që të propozojnë heqjen e sanksioneve pa i plotësuar të gjitha kushtet. Dhe ato nuk maten me përqindjen e reduktimit të pranisë së njësive speciale policore pranë ndërtesave komunale në veri, por me përmbushje të plotë.

Ndërkohë, ajo që shqetëson jo vetëm Kosovën, por edhe gjithnjë e më shumë diplomatë, media dhe analistë ndërkombëtarë, është toleranca e paarsyeshme dhe e rrezikshme e BE-së, veçanërisht Lajçakut dhe Borelit, ndaj veprimeve të Serbisë.

Është kaq e lehtë për zëdhënësit e BE-së dhe zyrtarët e saj të përdorin termin “sjellje joevropiane” për veprimet e Kosovës. Por asnjëherë nuk kanë guxim, dëshirë apo vullnet të përmendin shprehje të tilla për Serbinë. Ata nuk  quajtën “sjellje joevropiane” as kur liderët e Serbisë mohuan gjenocidin në Srebrenicë, as kur bashkëpunuan me shërbimet inteligjente të Rusisë, as kur presidenti i Serbisë e takoi si mik të dënuarin për krime lufte Vojislav Sheshel, as kur Beogradi inkurajoi, e ndoshta edhe drejtoi sulme verbale dhe fizike ndaj serbëve të Kosovës që pranuan të punonin në polici.

Dhe teksa Lajçak dhe Boreli jane treguar kaq të përshtatshëm me Vuçiç dhe Serbinë, nuk është realiste të pritet që ata të ndryshojnë pozicionet e tyre në vitin e fundit të mandatit aktual. Prandaj, nëse Kosova pret që Lajçak dhe Boreli së shpejti të kërkojnë heqjen e masave, do të presin kot.

 

Advertisement