Bota
“Mos shko në Budapest”: Ish-spiuni rus paralajmëron Putinin për atentat britanik
Një ish-agjent i inteligjencës ruse ka paralajmëruar presidentin Vladimir Putin të mos udhëtojë drejt Hungarisë për një takim të mundshëm me Donald Trump, duke pretenduar se ekziston një “komplot britanik për ta eliminuar”.
Andrey Bezrukov, ish-kolonel i shërbimit të jashtëm rus të inteligjencës (SVR), i cili dikur vepronte në fshehtësi në Shtetet e Bashkuara, i bëri thirrje Putinit të anulojë planet për vizitën në Budapest, duke e quajtur atë një “operacion absolutisht tradhtar”.
“Kam shumë, shumë shqetësime serioze për Budapestin”, deklaroi Bezrukov gjatë një emisioni në televizionin shtetëror rus, ku paralajmëroi se vizita mund të shfrytëzohej nga Britania për një atentat ndaj Kremlinit.
Sipas mediave britanike, ai deklaroi se “mentaliteti britanik është i ndërtuar mbi idenë se nëse Putini nuk ekziston, atëherë nuk ka problem”, duke shtuar se “elita politike në Londër po humbet ndikimin e saj dhe mund të kërkojë një ‘goditje fatale’ ndaj Rusisë”.
Megjithatë, ai nuk ofroi asnjë provë konkrete për pretendimet e tij.