Shkrime
Mospajtime të mëdha Osmani – Stoltenberg në bulevardin ‘Leopold III’
Një zotim i autoriteteve kosovare gjatë vitit 2013 dhënë NATO-s për mos-dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Veri të vendit pa koordinim paraprak me misionin e saj në Kosovë, KFOR-in, ka “përplasur” Vjosa Osmanin dhe Jens Stoltenberg.
Nga Bulevardi “Leopold III” në Bruksel, në selinë e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, ia kujtoi Osmanit zotimin e asaj kohe të Qeverisë së Kosovës teksa potencoi se NATO “pret konsultime me kohë dhe kuptimplota për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë në Veri të Kosovës”.
Stoltenberg konfirmoi se zotimi i vitit 2013, përveç forcave të ushtrisë, ia ndalon edhe Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, hyrjen në Veri pa lejen e KFOR.
“Nuk është kriter i ri. Çdo zbarkim i Forcave Speciale Policore kërkon pajtimin e KFOR-it dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt mes autoriteteve në Prishtinë për çfarëdo lloj zbarkimi të forcave që mund të ndikojë në pozitën tonë të sigurinë në Kosovë” – deklaroi Stoltenberg
Nevoja për ta kujtuar një zotim të tillë të dhënë para 10 viteve, vjen në dritën e tensioneve tashmë të “normalizuara” në Veri të Kosovës. Në maj të këtij viti situata në këtë pjesë të vendit u trazua përsëri si pasojë e vendimit të pa-koordinuar të Qeverisë për instalimin e kryetarëve të rinj në objektet komunale nën-asistencën e Policisë së Kosovës.
Stoltenberg ishte mjaftë i qartë në përgjigjen e tij, por që ngjalli reagimin e presidents Vjosa Osmani
Ajo tha se zotimi i vitit 2013, sic edhe ka thene kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “një zotim të njëanshëm” dhe se në atë zotim bëhej fjalë vetëm për ushtrinë dhe jo për policinë
Megjithatë ajo u pajtua deri në përulësi, ndonëse në parim, se Kosova koordinimin me aleatët duhet ta ketë jo vetëm për Veriun, por edhe për Jugun, Lindjen e Perëndimin.
“Duhet të punojmë për koordinimin me aleatë për çdo centimetër të të gjithë rajonin për shkak të orientimit strategjik të integrimit euroatlantik. Do të punojmë së bashku, sepse 29 maji na tregoj gjithëve se ata që janë kundër Kosovës janë edhe kundër NATO-s” – theksoi Osmani