Bota
Moti i keq në Itali/ Rritet numri i viktimave
Ka shkuar në 14 numri i viktimave si pasojë e përmbytjeve në Itali. Emilia Romagna është shkatërruar nga përmbytjet që kanë shpërfytyruar qytetet, e ndërsa tashmë është shtuar frika për rrëshqitjet e dheut. Një 84-vjeçar është gjetur i pajetë në oborrin e shtëpisë së tij në Faenza, në zonën e stacionit. Lajmin e dha presidenti i Rajonit i Emilia Romagna, Stefano Bonaccini, në një transmetim të drejtpërdrejtë në “Mattino 5”.
Gara me kohën vazhdon për të shpëtuar njerëzit e bllokuar, dhe për të siguruar qytetet dhe rrugët e përmbytura nga lumenjtë. Ndërkohë që ka ende shqetësime të mëdha për trafikun, me trena të shumtë që janë devijuar dhe anuluar, raporton “Agi.it”.
“Një emergjencë që na bën të kujtojmë me të drejtë tërmetin: angazhimi i qeverisë, duke caktuar edhe mbledhjen e kabinetit të martën, është të na bëjë të vetëdijshëm për angazhimet që do të marrim: presidenti ka treguar tashmë ndërhyrjet e para, përfshirë ato financiare, por besoj se të gjithë e kuptojnë nevojën për të pasur kontroll mbi urgjencën, e cila duhet të vlerësohet komunë për komunë”, tha ministri i Mjedisit, Gilberto Pichetto Fratin, duke bërë një bilanc të emergjencës së motit të keq në Bolonja.
7 mijë kërkesa për ndihmë kanë ardhur në numrin 112, 1500 burra të angazhuar në aktivitetet e shpëtimit, 3000 ndërhyrje të kryera. Përmbytjet shkatërruan qytete të tëra. Janë vërshuar 23 lumenj dhe 280 rrëshqitje dheu. Pemët kanë rënë në rrugë, njerëzit strehohen në çati, të moshuar dhe fëmijë të shpëtuar me gomone, rrugë të shndërruara në këneta është pamja e përgjithshme e asaj që po ndodh në Itali.
Në disa zona ka rënë më shumë shi në 36 orë, sesa mesatarja për të gjithë muajin maj.
Nën ujë ndodhen Faenza, Cesena, Forlì, Lugo, Cervia, disa zona të zonës së Ravenës si dhe komuna më të vogla. Energjia elektrike është ndërprerë, po kështu edhe linjat telefonike janë jashtë funksionit.
Romagna është zhytur në ujë. 1200 vullnetarë kanë dalë në ndihmë dhe 600 zjarrfikës.
Papa Françesku ka shpehur një mesazh për viktimat, nga fatkeqësia që ka goditur Emilia Romagna. Papa Françesku falenderon gjithashtu “të gjithë ata që në këto orë të vështirësisë, po punojnë për të lehtësuar të gjitha vuajtjet, si dhe komunitetet dioqezane për shfaqjen e bashkimit dhe afërsisë vëllazërore me popullsitë më të sprovuara”.
Mnistri i Mbrojtjes Civile: “20 milionë më shumë për shpenzimet fillestare”
Do të jenë më shumë “ 20 milionë euro për të përballuar shpenzimet e para. Pjesa më e madhe e burimeve do të vijnë kur të kemi një pamje të detajuar”, tha ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci. “Duhet të jetojmë me ndryshimet klimatike dhe të pyesim veten se kur do të ndodhë”, theksoi ai, duke u ndalur te parandalimi. Ndryshimi “kërkon që njeriu të përshtatet”.
Ferrari dhuron një milion euro
Ferrari dhuron një milion euro për Agjencinë për Sigurinë Territoriale dhe Mbrojtjen Civile të Rajonit Emilia-Romagna, duke iu bashkuar mbledhjes së fondeve rajonale. Fondet do të përdoren, me bashkërendimin e autoriteteve vendore, në favor të popullsisë vendase të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit, me vëmendje të veçantë për projektet e rimëkëmbjes mjedisore dhe për menaxhimin e paqëndrueshmërisë hidrogjeologjike.
“Në kohë vështirësish, vendi i Ferrarit ka qenë gjithmonë pranë komunitetit të tij”, tha Benedetto Vigna, CEO i Ferrarit. “Duam t’i japim një përgjigje konkrete dhe të menjëhershme nevojave më urgjente të popullsisë së Emilia-Romagna, e goditur nga një fatkeqësi e rëndë mjedisore. Me bashkërendimin e autoriteteve lokale, të cilëve u shprehim falënderimet tona të përzemërta për punën e tyre të palodhur në këto orë, këto ndihma do të mund të sjellin rehati dhe një shenjë të prekshme të solidaritetit të të gjithë familjes Ferrari”.