Connect with us

Kosova

Mujanoviç: SHBA-të e trajtojnë Serbinë si ‘qendër strategjike’

Jasmin Mujanoviç, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, në një prononcim për rrjetin ndërkombëtar të lajmeve “Al Jazeera”, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e trajtojnë Serbinë si një “qendër strategjike të rajonit” dhe për këtë arsye ka filluar edhe të “avokojë për disa nga idetë serbe”.
“Praktikisht e ka përmbysur veten deri në atë masë saqë dëshiron marrëdhënie më të mira me Serbinë, madje edhe në dëm të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Papritmas SHBA-të filluan të mbrojnë disa nga qëndrimet e Beogradit në lidhje me mosmarrëveshjet për Kosovën dhe deri diku me Bosnjë-Hercegovinën”.
Ai ka theksuar se politika e jashtme e administratës së presidentit amerikan, Joseph Biden, orientohet nga synimi për të larguar Serbinë nga orbita e Rusisë, megjithëse ka shtuar se përpjekjet e SHBA-ve nuk do të kenë sukses, ngase sipas tij, ndikimi rus në politikën e shtetit serb është tashmë i pakapërcyeshëm.
“Ideja e administratës së presidentit amerikan, Joseph Biden, është që idetë e [Aleksandër] Vuçiqit duhet të respektohen, por jo ekskluzivisht, që të mund të mbajë marrëdhënie me të për shkak të interesave amerikane të drejtuara kundër Rusisë dhe Kinës dhe depërtimit të tyre në këtë zonë”, ka thënë Mujanoviç.
Ndryshe, përpjekjet për të ndarë Serbinë nga Rusia dhe për të “qetësuar” Beogradin, janë konsideruar edhe nga analistë të tjerë si një politikë thellësisht e dëmshme për pozitën e SHBA-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Advertisement