Politike
“Mund të ‘helmojë’ hetimet”/ GJKKO refuzoi lirimin e tij, Meta apelon vendimin që e la në arrest me burg

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ankimuar vendimin e GJKKO-së, e cila refuzoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”. Gjykata e posaçme nuk pranoi kërkesën me argumentin se pozita ndaj tij është rënduar dhe se mund të prishë hetimet dhe ndikojë të dëshmitarët.
Nga ana tjetër, avoktatët e Metës kanë sugjeruar një masë më të butë si ajo e bllokimit të pasaportës, me pretendimin se nuk ka asnjë rrezik që klienti i tyre të largohet apo të arratiset nga vendit. Avokati Kujtim Cakrani më herët është shprehur se klienti i tij nuk përbën cenim për procesin gjyqësor.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.

