Aktualitet
“Mund të pyesni…”/ Dorian Duçka del nga SPAK, çfarë deklaroi para gazetarëve
“Mund të pyesin departamentit e drejtësisë në Amerikë”, kështu ka deklaruar Dorian Duçka pasi doli nga SPAK, ku u mor në pyetje për disa orë.
Para gazetarëve ai nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment lidhur me marrjen në pyetje.
Duçka është një personazh i njohur dhe shumë i lakuar vitin e fundit për shkak të dosjes “McGonigal”.
Në dosjen e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së për Nju Jorkun, Dorian Duçka ishte prezantuar si këshilltari jozyrtar i kryeministrit Edi Rama.
Në muajin shtator të këtij viti, McGonigal i pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly nëse kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan (Nick Muzin), që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama (PD e drejtuar nga Lulzim Basha), McGonigal u përgjigj “Po”.
McGonigal sipas hetimeve kishte marrë informacion për këtë lobist nga Duçka, pra këshilltari jo zyrtar i Edi Ramës. Gjithashtu McGonigal pranoi që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të Duçkës.
Drejtësia amerikane e hetoi dosjen McGonigal, në Shqipëri opozita kishte akuza të shumta kundër Edi Ramës, dorëzoi edhe padi, por a kanë nisur hetimet? Përse u thirr Duçka? Zyrtarisht nuk dihet nëse Dorian Duçka është thirrur për këtë dosje.