Aktualitet
Mungesa e sinjalistikës, gropat dhe mjegulla shkaktojnë probleme me lëvizjen e automjeteve në aksin Burrel–Milot

Në aksin kombëtar Burrel–Milot, drejtuesit e mjeteve përballen çdo ditë me vështirësi të shumta. Problematike mbeten orët e para të mëngjesit, kur prania e mjegullës së dendur kufizon ndjeshëm fushëpamjen.
Situata rëndohet edhe më shumë nga mungesa e sinjalistikës rrugore, si dhe nga amortizimi i këtij segmenti, i cili është i mbushur me gropa.
Rreziku bëhet akoma më i madh në pjesët pranë liqenit të Shkopetit, ku një dalje nga rruga mund të ketë pasoja të rënda. Përveç mjegullës, gjatë reshjeve të shiut regjistrohen shpesh edhe rrëshqitje gurësh, duke e bërë qarkullimin tepër të rrezikshëm.
Drejtuesit e mjeteve i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa urgjente, sidomos tani që dimri po afrohet dhe mjegulla është prezente pothuajse gjatë gjithë ditës.

