Kandidati i Partisë Socialiste për deputet në Tiranë, Andi Seferi, ka komentuar situatën në Bashkinë e Tiranës, ku ka shërbyer për vite si nënkryetar, duke u ndalur edhe tek mungesa e kryebashkiakut Erion Veliaj, i arrestuar prej gati dy muajsh me akuza për korrupsion.
Seferi sqaroi se aktualisht është pezulluar nga detyra për shkak të angazhimit në fushatën elektorale.
“Shërbimi ndaj kryeqytetit vazhdon si më parë, qyteti merr të gjitha shërbimet dhe asgjë nuk i mungon,” tha ai, duke theksuar se puna e bërë ndër vite nga një ekip i konsoliduar nën drejtimin e Veliajt, ka garantuar vijimësinë e funksionimit normal të Bashkisë.
Megjithatë, Seferi pranoi se mungesa e Veliajt krijon një “ngërç moral”, duke shtuar se pas 10 vitesh bashkëpunim, ndjesia e mungesës është e natyrshme.
“Unë jam pezulluar nga bashkia si nënkryetar sepse jam në fushatë. Shërbimi ndaj kryeqytetit vazhdon të jetë si më parë, qyteti merr shërbimet si më parë dhe asgjë nuk i mungon qytetit. Duke marrë në konsideratë që punët janë bërë nga një ekip që ka pasur një kapiten si ai, krijon një ngërç moral pas mungesës së tij. Të jesh në një skuadër për 10 vitesh të mungon, por shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj për ezaurimet e argumenteve që pretendohen se janë ndaj tij”, tha ai mes të tjerash.