Connect with us

Aktualitet

Mungesa për mjekë dhe infermierë/ Shqipëria, nën mesataren europiane për punonjës shëndetësie

Nevojat e Shqipërisë për punonjës të shëndetësisë mbeten të larta. Një raport i OBSH thekson se Shqipëria është nën mesataren e Evropës për numrin e punonjësve të shëndetësisë për 10 mijë banorë. Kjo e fundit në Evropë është në shifrat 121 punonjës shëndetësie, mjekë, infermierë dhe mami, për 10 mijë banorë.

Ndërsa Shqipëria është në nivelin e 70 punonjësve për 10 mijë banorë. Dendësia e mjekëve për 10 mijë banorë, arrin në 18, dy herë më pak se mesatarja e Evropës. Pak më mirë, Shqipëria paraqitet në numrin e infermierë, në 52 të tillë për 10 mijë banorë, nga 80 që është mesatarja e europës. Ndërsa për mami, Shqipëria është pranë nivelit europian.

Edhe pse nga viti në vit, kuotat e pranimit në universitetin e Mjekësisë janë rritur, sërish nevojat në vend mbeten të larta. Zonat e thella malore të Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës kanë nevojat më të mëdha për infermierë, logoped, mami dhe fizioterapist, teksa çdo vit, afro 1 mijë persona punësohen përmes portalit Infermierë për Shqipërinë.

Qeveria miratoi edhe disa ndryshime ligjore për të kushtëzuar studentët e Mjekësisë që të punojnë 3 vite në Shqipëri pas diplomimit, me qëllim që të plotësohen nevojat për mjekë, por ligji është në proces rishikimi pas rrëzimit të draftit fillestar nga Gjykata Kushtetuese.

Me mungesën e punonjësve të shëndetësisë po përballen edhe shumë vende të Bashkimit Europian dhe për këtë arsye Komisioni Evropian dhe OBSH nënshkruan një marrëveshje prej 1.3 milionë Eurosh për të ndihmuar shtetet anëtare që të mbajnë dhe tërheqin sa më shumë infermierë.

Advertisement